Partitë politike përplasen për atë kush është përgjegjës për ujin e ndotur në Gostivar

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Partitë politike me përplasje të vazhdueshme rreth përgjegjësive politike e penale lidhur me situatën e krijuar në Gostivar. I pyetur përse nuk e ka vizituar Gostivari, bashkëkryetari i VLEN, Izet Mexhiti tha se nuk ka dashur që ta rëndojë edhe më tepër politikisht situatën. Megjithatë siç thotë Mexhiti, edhe komuna edhe organizata rinore nga Çairi kanë reaguar dhe kanë ndihmuar situatën e vështirë atje.

“Ua lëmë institucioneve kompetente të vlerësojnë gabimet, lëshimet dhe përgjegjësitë…. Nuk kemi dashur ta ngarkojmë politikisht situatën, fillimisht ti ndihmojmë qytetarët dhe situatën dhe mandej për të parë përgjegjësitë dhe gabimet”, deklaroi bashkëkryetari i VLEN, Izet Mexhiti.

Nga LSDM-ja opozitare kërkojnë dorëheqje të menjëhershme duke filluar nga ministri i shëndetësisë Sasho Klekovski, e deri te kryeprokurori  Nenad Saveski. Sipas kreut të kësaj partie Venko Filipçe, të njëjtit kanë fshehur rezultatet e analizës së ujit, nuk kanë treguar me kohë që uji është i ndotur dhe kanë lejuar që të helmohen mbi 3000 banorë.

“Të gjithë që kanë marrë pjesë në fshehjen e këtyre informacioneve duhet të bartin edhe përgjegjësi politike edhe penale. Ministri i Shëndetësisë, Drejtori i Institutit për Shëndet Publik, Qendra për Shëndet Publik, Agjencia e Ushqimit dhe Prokuroria. Kërkojmë përgjegjësi politike dhe dorëheqje nga këta njerëz sepse luajtën me shëndetin e qytetarëve, me të drejtën e garantuar kushtetuese të qytetarëve”, pohoi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Nga VMRO-DPMNE gishtin e drejtojnë te autoritetet komunale. Pyesin LSDM-në, BDI-në e Taravarin, pse nuk kërkojnë përgjegjësi nga kreu i komunës, Valbon Limani.

“Si duket, për LSD-në, BDI-në dhe Taravarin principet vlejnë vetëm kur duhet të sulmojnë kundërshtar politik. Kur bëhet fjalë për funksionarët e tyre, atëherë nuk ka as përgjegjësi, as moral, as dorëheqje. Qytetarët meritojnë përgjigje e jo standarde të dyfishta. Pse LSD, BDI dhe Taravari nuk kërkojnë reagim nga komuna për skandalin? Pse shërbimet komunale as me gisht nuk kanë lëvizur?”, pyesin nga VMRO-DPMNE.

Sipas autoriteteve, gjendja me epideminë në Gostivar është në kontroll. Deri tani numri i përgjithshëm i qytetarëve me simptoma helmimi ka arritur në 3600. Ndalesa për përdorim ende vazhdon ndërsa për pastrim janë kyçur edhe ekipe nga Ujësjellësi i Shkupit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button