Pamje të frikshme nga Kroacia, pas tërmetit 6.4 ballë të shkallës Rihter në rajonin e Petrinjës

Frikë, panik dhe kaos në Kroaci, teksa të mbijetuarit po i kërkojnë familjarët nën rrënoja. Kjo është pamja që la pas vetes tërmeti i fuqishëm 6,4 shkallësh të Rihetrit që e goditi Petrinjën e Kroacisë. Gjysma e qytetit, përfshirë edhe qendrën është shkatërruar plotësisht. Liridon Nuhi i cili jeton në Petrinjë të Kroacisë për Alsat rrëfen momentet e frikshme. Ai thotë se brenda 30 sekondave, i ndryshoi e gjithë jeta.

- Advertisment -

Nuhi rrëfen se si e humbi fqinjin 8 vjeçar para syve të tij. “E pash se si vraponte për në shtëpi dhe mbeti i vdekur nga një dru që ra nga çatia. Tentova, por nuk arrita ta shpëtoja”, tregon mes lotësh Liridoni, i cili nga frika e lëkundjeve të reja së bashku me familjen po qëndron në rrugë.
Kryqi i Kuq i Kroacisë ka alarmuar se situata është shumë serioze dhe se ekipet janë në terren. Edhe Qeveria kroate ka mobilizuar të gjitha shërbimet, me qëllim që të shpëtohen sa më shumë jetë njerëzish. Ndërsa iu ka bërë apel qytetarëve t’i respektojnë masat për mbrojtje nga pandemia. Raportohet se pacientët po evakuohen nga spitalet, se janë shkatërruar dy kopshte fëmijësh dhe se nga njëri prej tyre janë evakuuar fëmijët, ndërsa në tjetrin nuk ka pasur fëmijë. Dridhjet e tokës u ndjenë pothuajse në të gjithë shtetin. Në Kroaci edhe një ditë më parë pati 3 tërmete, më e madhja prej të cilave ishte 5,2 shkallësh të Rihterit. Tre tërmetet me epiqendër në afërsi të Sisakut shkaktuan shumë dëme materiale, por nuk pati viktima. Ndërsa tërmet fatal prej 5,3 shkallësh të Rihterit, Kroacia pati në muajin mars, nga e cila një person vdiq dhe së paku 27 u plagosën.

Anesa Salihu

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button