Dymbëdhjetë të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit pranë Prishtinës

Policia e Kosovës njoftoi se 12 persona janë lënduar nga shpërthimi i një bombole gazi në një objekt në fshatin Preoc, Komuna e Graçanicës, afër Prishtinës.

- Advertisment -

Policia tha se incidenti ka ndodhur rreth orës 12:00, në një objekt në rrugën Prishtinë-Ferizaj, dhe se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Prishtinë.

Ejup Govori, mjek përgjegjës i ndërrimit në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tha se shtatë prej 12 pacientëve janë me djegie.

“Kryesisht djegiet janë në fytyrë dhe shuplaka; djegiet janë relativisht të shkallës së lartë – shkallës së dytë dhe të tretë. Për shkak të djegies së lartë, pacientët janë pranuar në kirurgjinë plastike. Ata momentalisht janë duke u trajtuar nga kirurgët plastikë”, tha Govori.

Govori po ashtu tha tre raste janë me lëndime të kokës, por që nuk janë të rënda.

Policia e Kosovës tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit dhe të gjitha njësitë e nevojshme policore për ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

Policia po ashtu tha se autoritetet kompetente janë duke punuar për t’i sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

LEXO EDHE:

Back to top button