Pandemia ka rënduar buxhetin familjar


Pandemia ka rënduar buxhetin familjarë, ku me paratë e njëjta shporta e konsumatorit mbetet gjysmë e zbrazur për dallim nga vitet e fundit. Nëpër raftet e marketeve merren vetëm produktet ushqimore bazë. Qytetarët përpiqen të gjejnë artikuj në ofertë, duke thënë se nuk ua mbanë gjepi të marrin gjëra, pa të cilat edhe mund ta shtyjnë ditën. Një shportë me produktet minimale, këta qytetarë thanë se iu kushtuan më tepër se sa rëndom.

“Edhe janë rrit (çmimet) edhe punë s’ka, rrogat janë të dobëta, rryma është shtrenjtuar edhe produktet tjera janë më shtrenjtë, por patjetër ta përballojmë disi. Për një javë apo 10 ditë më së shumti për tre anëtarë të familjes. Ka pasur edhe lirim edhe shtrenjtim por kalojmë disi me që jemi edhe pa punë.”

“Me ju thënë të drejtën kudo që shkon nëpër shitore, gjithkund thonë se ka zbritje por na del të jenë më shtrenjtë. Kosto e shportës po rritet, ashiqare këtë po e ndjejmë por nuk di të them në çfarë çmimi. E gjitha varet sa anëtar të familjes jetojnë. Nëse punojnë 3 ose 4 mund të përballohet, nëse punon vetëm njëri nuk mund t’ia dalësh dot.”

Kostoja e gjërave elementare për një familje 4 anëtare për qershorin ka arritur në 33,487 denarë. Sipas përllogaritjeve të Sindikatës për shportën minimale rritja e kostos është evidentuar në produktet ushqimor, nga marsi deri në korrik. Ata thonë se në muajin mars produktet bazë për një familje katër anëtare pati kushtuar 32,852 denarë ose 635 denarë më pak se aktualisht. Fryrje të çmimeve janë vërejtur edhe në produktet higjienike, si pasojë e pandemisë së Virusit Korona.

Shpenzimet bazë për një familje mesatare gjatë muajit qershor:

Ushqime dhe pije – 14,366 denarë ose 42,9% e buxhetit familjarë

Faturat e rrymës, ujit, dhe të ngjashme – 10,422 ose 31%

Derivatet dhe transporti – 2,447 denarë ose 7,31%

Higjienë dhe sanitari – 2,330 denarë ose 6,9%

Veshje dhe mbathje – 2,144 denarë ose 6,4%

Kulturë dhe rekreacion – 1,066 denarë ose 3,19 %

Mirëmbajtje të shëndetit – 709 denarë 2,12%

 Në muajin gusht, kjo kosto do të rritet edhe për 7,4% vetëm nga shtrenjtimi i energjisë elektrike.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, shpenzimet mesatare gjatë vitit 2019 për një familje të tillë kanë kaluar mbi 8,500 euro, ose nga 715 euro në muaj, duke i shtuar edhe shpenzimet tjera personale.  Në kohën e krizës së pandemisë, kur shumica e bizneseve kanë pësuar humbje, industria ushqimore është në kulmin e saj.

Përgatiti: Adnan Qaili

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button