Pandemia në Kosovë, Hoti: Kjo është situatë e luftës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar të enjten Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, për të parë nga afër gjendjen nëpër spitale gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Kjo është situatë e luftës, duke u përballur çdo ditë me një rrezik të madh, me viktima”, ka thënë Hoti.

“Bashkë me ministrin do të jemi këtu në vizita të rregullta dhe do të bëjmë të pamundurën që të gjithë pacientët të marrin ndihmën e duhur mjekësore”, u shpreh ai.

E ndryshe nga kryeministri Hoti që deklaroi se është gjendje lufte, U.D. të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Saudin Maliqi, tha se situata është plotësisht nën kontroll.

“Ju sigurojmë se situata është nën kontroll. Deri më tani asnjë pacient nuk e kemi që nuk e ka marrë trajtimin e duhur për pandeminë”, u shpreh ai.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Berisha bëri të ditur se në këtë klinikë sot janë të shtrirë 106 pacientë, ku 60-70% prej tyre janë me oksigjen, de 6 pacientë me respiratorë. Ajo tha se lirimi i disa pacientëve po mundëson hospitalizimin e të tjerëve.

Kryeministri Hoti nuk ka pranuar pyetjet e gazetarëve ndonëse pati interesim prej tyre për çështje të caktuara. Ai falënderoi stafin shëndetësor për përballje me pandeminë në tetë muajt e fundit, duke thënë se fatmirësisht numri i viktimave nuk është aq i lartë sa ai i vendeve të rajonit.

Një ditë më parë Kosovës i janë​ shtuar 773 raste të​ reja me koronavirus, pas marrjes së​ 1,519 mostrave.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka raportuar të mërkurën për katër viktima.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 26,121 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Prej tyre 777 pacientë kanë vdekur.

Kryeministri Hoti, ka prezantuar të mërkurën masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Sipas Hotit këto masa do të hyjnë në fuqi të premten.

Zyra e kryeministrit Hoti ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se procesi i votimit të masave të reja do të përmbyllet të enjten.

Masat e prezantuara nga kryeministri ndahen në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e portokalltë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.

LEXO EDHE:

Back to top button