Paralajmërimi i Greqisë: Ballkani Perëndimor mund të bëhet skena e një krize të madhe

Shefi i diplomacisë greke Niko Dendias u tha homologëve të tij në Luksemburg se nëse Bashkimi Europian nuk reagon menjëherë, rrezikohet që Ballkani Perëndimor të bëhet e njëjta skenë e një krize të madhe si ajo me të cilën po përballemi në Ukrainë. Dendias i ka informuar ministrat e Jashtëm europiane për vizitën në Odesa, si dhe për përpjekjet e Greqisë për të transferuar ndihma humanitare, jo vetëm atje, por edhe në Mariupol.

Sipas tij  kriza në Ukrainë prek vlerat themelore europiane të demokracisë, integritetit territorial, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Dendias u tha homologëve se është e nevojshme të mbahet një qëndrim të qartë në të gjitha frontet.

Ministrat e Jashtëm të BE-së në Luksemburg, përveç situatës në Ukrainë, kanë diskutuar edhe për pasojat e mundshme të luftës në Ukrainë dhe në Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq kreu i diplomacisë kroate Gordan Grliq Radman kërkoi nga Serbia që të harmonizohet me politikat e BE-së për sanksionet ndaj Rusisë.

Edhe ministrat e Jashtëm të Austrisë, Republikës Çeke, Hungarisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë kërkuan një diskutim strategjik për situatën në rajon që t’i jepet një shtysë dhe besueshmëri e re procesit të integrimit europian. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel pas ofertës për Ukrainën për t’u anëtarësuar në BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin dritën jeshile në Qershor për hapjen e negociatave.

LEXO EDHE:

Back to top button