U nënshkrua marrëveshja për gazsjellësin Maqedoni – Serbi, do të kushtojë rreth 30 milionë euro
Gazetar: Suad Bajrami
Drejtori i NOMAGAS Nedim Rama dhe drejtori i kompanisë “Rapid Bild” Toni Karanfillovski, në prani të kryeministrit dhe kreut shtetëror nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit me Serbinë. Projekti do të kushtojë 29,4 milionë euro, do të jetë i gjatë 22.4 kilometra dhe pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2028.
“Lidhja e gazit me Serbinë përfaqëson vazhdim e korridorit që vjen nga Greqia përmes Maqedonisë dhe Serbisë, drejt Hungarisë dhe drejt tregjeve të Bashkimit Evropian. Me këtë, Maqedonia bëhet pjesë e barabartë dhe e rëndësishme e iniciativës së korridorit vertikal. Kjo do të thotë se nuk do të jemi vetëm konsumatori i fundit i energjisë, por Maqedonia fiton mundësi dhe statusin të bëhet një vend aktiv transitit dhe pikë e rëndësishme në hartën energjetike rajonale”, tha Nedim Rama, Drejtor i NOMAGAS.
Kryeministri tha se lidhja me gaz me Serbinë është pjesë e politikës strategjike të Maqedonisë, me qëllim që vendin ta bëjë udhëkryq të dy korridoreve 8 dhe 10.
=“Ky është edhe një investim drejt realizimit të qëllimit strategjik si Qeveri, që të jemi udhëkryq i dy korridoreve panevropiane, Korridori 8 dhe 10. Udhëkryqi do të bazohet në tre shtylla. Ajo është lidhje infrastrukturore në kuadër të infrastrukturës rrugore, gjegjësisht autostradave dhe rrugëve ekspresë. Pastaj, këtu është infrastruktura hekurudhore, modernizimi i hekurudhës që është pjesë e korridorit 10, hekurudhës së korridorit 8. Dhe kjo është shtylla e tretë, ajo është lidhja energjetike me fqinjët tanë, të jemi udhëkryq i këtyre dy korridoreve”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Projekti do të kushtojë 29,4 milionë euro, do të jetë 22,4 kilometra i gjatë, ndërsa duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2028. Pika fillestare do të jetë te bllok stacioni “Klleçovec”, ndërsa pika përfundimtare do të jetë në afërsi të fshatit Sopot. Kapaciteti i parashikuar teknik i gazsjellësit është deri në 160.000 metër kub gaz për orë, me mundësi për rrjedha të dyanshme. /Alsat.mk.








