Studeniçan, Çashkë, Tetovë e Strugë nën flakë

Gazetare: Amila Rashiti

Zjarret në vend vazhdojnë të shkaktojnë kokëçarje për zjarrfikësit, të cilët tanimë një kohë të gjatë janë në betejë të vazhdueshme për shuarjen e flakëve. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza kanë njoftuar se në hapësira të hapura, nga gjithsej 13 zjarre, 5 janë aktive, ndërsa 3 të tjera janë nën kontroll. Komunat që po përballen me zjarre janë: Studeniçani, Zelenikova, Saraji, Komuna e Çashkës, ajo e Tetovës dhe Komuna e Strugës.

“ Gjatë ditës së sotme kemi dy zjarre të reja të mëdha. Zjarri i parë është pas meje, në fshatin Kopanicë, në territorin e Komunës së Sarajit, por po lëviz në drejtim të Tetovës. Kjo është një zonë pyjore që ishte përfshirë nga zjarri edhe para disa ditësh, por e kishim shuar. Tani kemi një zjarr të ri, i cili me shumë gjasë është shkaktuar qëllimisht, megjithëse ende nuk e dimë motivin. Policia po punon për zbardhjen e rastit dhe zbulimin e autorëve.“ Stojançe Angellov, Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Nga qyteti i Tetovës kanë informuar se flakët që kishin filluar në varrezat ortodokse janë me vegjetacion të ulët ndërkohë zjarret që janë të përhapura në pyje janë nën kontroll. Ndërhyrja për shuarje po bëhet nga toka dhe ajri.

“U përhap lart, drejt pyllit, ndërsa tani po lëvizë në drejtim të kalasë. Kishte një shtëpi të vjetër prej kashte që, me sa duket ishte përfshirë zjarri nga brenda. Kemi evakuar të gjithë shtëpitë, siç mund ta shihni njerëzit janë jasht shtëpive por për momentin nuk kemi asnjë shtëpi të rrezikuar.“ – Zjarrfikës.

Pasi që rreziku për zjarret ende është i madh, ndalimi për lëvizje në pyje është vazhduar deri më 30 shtator. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button