Partnerët e koalicionit të LSDM-së kundërshtojnë marrëveshjen me Alternativën

Adrian Kerimi

Partnerët e koalicionit të LSDM-së kundërshtojnë marrëveshjen Zaev-Gashi. Sipas tyre, kushtëzimet e Alternativës janë jo parimore, ndërsa disa pika nga programi qeverisës i nënshkruar mes dy liderëve nuk janë të pranueshme për ta. Në takimin e së hënës, Lidhja Demokratike, PLD-ja dhe PRD-ja kanë kundërshtuar kryesisht Ligjin e ri për zhvillim të barabartë rajonal dhe hapjen e rasteve të montuara. Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike thotë se një marrëveshje e tillë mund të jetë pengesë për mandatarin e ri.

“Mendoj se një Qeveri e tillë është e vështirë të formohet. Mandatari i ri do ta ketë problem të formojë një Qeveri të tillë sepse partitë më të vogla politike do ta zhvendosin edhe brenda LSDM-së. Nëse nuk ka përfaqësim adekuat në ekzekutiv, një koalicion i tillë nuk mund të mbijetojë”, deklaroi Pavle Trajanov, Kryetar i Lidhjes Demokratike.

Partia Liberal Demokrate nuk kërkon resorë nga eshaloni i parë ose i dytë, por kundërshton idenë e zhvillimit të barabartë rajonal pa mos e konsultuar dikasterin të cilin e drejton kuadër i kësaj partie, atë të Vetëqeverisjes Lokale. Sipas PLD-së, në marrëveshjen Gashi-Zaev ka pika të cilat nuk mund të përkthehen në dispozita ligjore dhe për këtë arsye janë të pa pranueshme.

Partia për Ripërtëritje Demokratike do ta shqyrtojë marrëveshjen Zaev-Gashi në organet e partisë. Maja Moraçanin i tha televizionit Alsat se për të është e papranueshme politikisht të ndikohet në sistemin gjyqësor, ndërsa parimisht është kundër propozimit të Ligjit të ri për zhvillim të barabartë rajonal pasi një zgjidhje ligjore aktualisht ekziston në Kuvend. Moraçanin tha se partia e saj nuk kërkon pozita në ekzekutiv dhe se është kundër themelimit të ministrive pa resorë. Burime nga takimi bëjnë të ditur se edhe përfaqësuesit e partive turke kanë kërkuar pozita udhëheqëse. Madje të njëjtat burime thonë se kërkesa e pakicës turke për përfaqësim adekuat në ekzekutiv buron nga Ankaraja zyrtare, përkatësisht ministër për investime të huaja nga Lindja. Të njëjtat burime thonë se në kërkesën zyrtare ka arritur edhe emri i ministrit i cili mund të angazhohet në këtë pozitë. Për përgjigje përfundimtare, partitë e vogla do të presin zhvillimet brenda LSDM-së, por edhe datën e mundshme për bisedime. Partitë e koalicionit parazgjedhor me LSDM-në bashkërisht kanë 8 deputetë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button