Pas dy viteve pandemi, Dita e Verës u festua pa kufizime në Shqipëri

Gazetare: Melihate Rrustemi

Shqipëria sot u vërshua nga mijëra njerëz për të festuar Ditën e Verës. Në Tiranë dhe kryeqendrën e kësaj feste, Elbasan, para mysafirëve u prezentuan aktivitete të shumta për të gjitha grup moshat, duke nisur nga fëmijët e deri tek më të rriturit, shkruan Alsat.

Nxënësit e shkollave fillore bënë gara në tërheqje litari, loja me karrige e mundje dore. Gjithashtu u improvizuan fusha tenisi, basketbolli, ping-pongu ndërsa Teatri i kukullave performoi shfaqje të ndryshme për fëmijë.

Një vëmendje e veçantë në këtë ditë vere i është kushtuar dhe biznesit dhe panairit të produkteve nga zonat e ndryshme të Shqipërisë. Sheshi “Skënderbej” u kthye në një ambient argëtues edhe për të rriturit të cilët patën mundësi të bëjnë foto me koleksionin e makinave RETRO. Të apasionuarit pas automjeteve patën mundësi që të njihen dhe me makinat sportive dhe motorët në një ambient të shoqëruar me muzikë të zgjedhur..

Festa e Ditës së Verës zgjatë me ditë në Elbasan. Kjo është një mundësi, jo vetëm për të ruajtur dhe pasuruar traditën, por edhe për promovimin e vlerave të qytetit.

Ballokumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë. Gjithashtu, një detal i kësaj feste është vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet me kyqin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet ti marrin e të sjellin bamirësi./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button