Pas heqjes së masës për ngrirje nuk ka rritje të çmimeve, buka vazhdon të shitet për 33 denarë

Pas heqjes së masës për ngrirje nuk ka rritje të çmimeve, buka vazhdon të shitet për 33 denarë

Gazetare: Ajnur Bafqari

Nga sot janë hequr të gjitha masat e qeverisë për kufizimin apo ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore. Përkundër skadimit të masës që nisi nga muaji mars fillimisht me bukën, miellin dhe disa produkte tjera, qytetarët do të vazhdojnë të blejnë bukën me çmimin 33 denarë, si dhe produktet e tjera me çmimet e njëjta, por ata kanë frikë se në ditët në vazhdim megjithatë do të ketë rritje.

“Sot tash për herë të parë kam hyrë në market, nuk dallova ndryshime… i hypin, nuk ka besim tek këta…”.

“Të vazhdojë kështu, të mos ketë përsëri rritje, edhe ashtu janë të shtrenjta.”

“ Çmimet mund të jenë të lira, tash për tash mund të jenë të sigurta dhe më të mirë. Shpresojmë mos me u rrit”.

“Çmimet janë normal, por për mua si pensionist për mu janë pak të larta… Nuk e di çfarë bën Qeveria, ato thanë një herë do të zbresin, tash sërish njësoj, pak i kanë zbrit, por nuk është ajo që duhet, jeta është e shtrenjtë, për pensionistët shumë problem është. ”

“Unë mendoj se çmimet janë të njëjta dhe se çmimet do të shkojnë më lartë, se nuk do të ketë aspak lirim”.

“Çmimet janë të njëjta, nuk ka asnjë ndryshim… Sigurt do të ketë rritje, siç e shoh unë, sikurse i shoh çmimet. Në çdo orë ndryshojnë çmimet këtu”.

Por, kryetari i Odës së Agrobiznesit, Goran Georgievski thotë se rritje të çmimit të produkteve të miellit për momentin nuk do të ketë, por nëse do të ketë rritje në të ardhmen kjo do të varet prej ofertës dhe kërkesës .

“Tani në këtë moment tregu i lirë do të diktoj çmimet, oferta dhe kërkesa do të përcaktojnë çmimet finale… Në përgjithësi ka ulje të çmimeve të lëndës së parë, që si impute marrin pjesë në produktin final, kështu që vlerësojmë se nuk do të ketë rritje të çmimeve në periudhën që vijon, por do të shohim se si do të zhvillohen punët në terren”, u shpreh Goran Georgievski, përfaqësues i Odës së Agrobiznesit.

Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, siguron se nuk do të lejohen manipulime apo rritje artificiale të çmimeve, paralajmëroi kontrolle të shumta të inspektoratit.

“Nëse ndonjë kompani e caktuar, ja këtë e them publikisht, nëse një sektor i caktuar në mënyrë artificiale do të tentojë të rris çmimet, dihet se të gjitha institucionet do të futen në funksion dhe kjo nuk do të lejohet”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Me disa vendime të Qeverisë, në dy muajt e fundit ishin ngrirë çmimet e produkteve ushqimorë bazë, fruta e perimeve, por edhe artikujve higjienikë. Vendimet ishin marrë për mbrojtjen e konsumatorëve nga kriza ekonomike. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button