Pas luftës mbi 30 orëshe, zjarrfikësit kanë arritur të shuajnë zjarrin në bodrumin e një ndërtese në Çair

Pas luftës mbi 30 orëshe, zjarrfikësit kanë arritur të shuajnë zjarrin në bodrumin e një ndërtese në Çair

Gazetar: Avni Tahiri

Pas pothuajse 30 orëve është shuar tërësisht zjarri në bodrumin e ndërtesës në Çair. Ndërkohë banorët kanë mbetur në qiell të hapur, shkruan Alsat.

Ata sot vetëm nga anësh mund të shikonin pronën e tyre, e cila për pak sa nuk u shndërruan në hi.

Nuk dihet nëse banorët do të mund të kthehen në banesat e tyre së shpejti. Prokuroria thotë se pritet përfundimi i plotë i hetimit që më pas të zbardhen detaje për shkaqet e zjarrit. Nga Ministria e Punëve thonë se po punojnë në drejtim të zbardhjes së plotë të rastit.

Ndërkohë zjarrfikësit edhe sot që në orët e hershme të mëngjesit i takuam duke punuar, për orë të tëra pa ndërprerje për shuarjen e tërësishme të zjarrit.

Në shuarjen e flakëve u angazhuan edhe banorët e lagjes, të cilët pa ndërprerë ndihmuan zjarrfikësit të cilët ishin mobilizuar për të shuar edhe thëngjillin e fundit.

“Këtu ishim deri ora 4:30 në mëngjes dhe atëherë u lokalizua zjarri, nuk kishte më tym e as djegie. Më së shumti janë djegur kabllo, priza, llambadarë, plastikë. Tre ndërrime ishim këtu dhe 24 orë punuam pa ndalë, zjarrfikës kanë qenë rreth 40 në tre ndërrime. Thanë së edhe një zjarrfikës është në spital, si është gjendja e tij? Po, tani gjendja e tij është stabile”, tha Eroll Ali – Zëvendës komandant i brigadës së Zjarrfikësve.

Një ditë më parë 35 familje u evakuuan me ndihmën e shkallëve të zjarrfikësve. Shumë prej banorëve u asfiksuan nga tymi, në mesin e tyre kishte edhe zjarrfikës.

43 persona kërkuan ndihmë mjekësore, prej të cilëve 12 ishin fëmijë. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button