Pas masakrës në Serbi, sociologët alarmojnë për më shumë kujdes ndaj fëmijëve

Pas masakrës në Serbi, sociologët alarmojnë për më shumë kujdes ndaj fëmijëve

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Kriza ekonomike, tranzicioni por edhe lënia pas dore e fëmijëve, kanë bërë që së fundmi nëpër shkolla, sidomos në SHBA por edhe në vende të tjera të ketë dhunë me pasoja fatale. Ky fenomen sociologjik në botë, por edhe tek ne, ndodh si pasojë e neglizhencës së shkollave të kujdesit ndaj fëmijëve, por edhe prindërve, të cilët, gjithnjë e më tepër janë të zënë dhe nuk iu kushtojnë kohë fëmijëve të tyre. Ndikim të madh në përdorimin e dhunës kanë edhe lojërat kompjuterike.

“Ka një numër fëmijësh që janë të izoluar të vetmuar dhe këta janë fëmijët që mund të bëhen viktima të këtyre sjelljeve. Kur edukatori do vërej tek një fëmijë që ka sjellje jo të rëndomtë krahasuar me tjerët siç është vetmia, izolimi dhe mos përkrahja, duhet parë se këtu krijohet një ç`balancim dhe krijohet një situatë ku ai mund ta humbas kontrollin. Andaj rekomandohet në shkollë, pedagogët edukatorët prindërit, të mos i anashkalojnë disa simptoma që janë të çuditshme”, tha Lulzim Murtezani, sociolog.

Devijimi i fëmijëve, fillon që në moshë të re, apo në shkollë fillore. Kontrollet e kryera muaj më parë në një shkollë fillore në Tetovë, kanë rezultuar me gjetje të rëndësishme nëpër çantat e filloristëve.

“Kishte bokse hekuri, kishte thika, kishte cigare, mbajtëse të forta dhe tek vajzat gjetëm grime, po kjo pak rëndësi ka, andaj u thash kujdestarëve të klasave që kontrolle të ketë sa më shpesh. Sepse duke ndjekur rrugë si shkojnë këta fëmijë janë duke shkuar në rrugë keq e më keq”, u shpreh Mukadese Krajl, Shkolla Fillore Istigball.

Por ngjarjet e fundit siç ishte ajo në Beograd, kanë ngritur alarmin si nëpër shkolla po ashtu edhe në Sektorin e punëve të brendshme. Nga komuna e Tetovës, thonë se, nuk mjaftojnë vetëm kamerat e sigurisë në shkolla por tash e tutje, do duhet të shtohen edhe kontrollet e nxënësve nga arsimtarët, për atë se, përveç librave dhe fletoreve ç`mbajnë në çantat e tyre të shkollës.

“Është fakt që është vetëm në nivel të shkollës, organizimi i sigurisë, por do duhet që më tepër personeli i shkollës të angazhohet më tepër për sigurinë e nxënësve brenda dhe jashtë objektit shkollor, por apelojmë edhe prindërit që para se të nisen fëmijët për në shkollë të bëjnë një kontroll të tyre”, tha Nazmi Dauti, përgjegjës i Sektorit për Arsim – komuna e Tetovës.

“Sipas raporteve të policisë dhe shifrave se, sa janë kapur me armë të ftohta apo drogë, sidomos adoleshentë, tregon se qasja e të rinjve të armët dhe narkotikët është shumë e lehtë, andaj dhe duhet të fillohet një ofensivë e fuqishme thonë nga SPB, sidomos për devijimin e tyre”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.

“11 nga të arrestuarit kanë qenë adoleshent, edhe atë dhjetë në Tetovë dhe një në Gostivar. SPB Tetovë përndryshe tash një kohë të gjatë ka përforcuar kontrollet në autobusë dhe mjete tjera transporti të nxënësve me qëllim kontrollimin nëse përveç librave në çanta mbajnë edhe diçka tjetër, siç është droga dhe mjete të forta për vepra penale”, u shpreh Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB Tetovë.

Nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, po ashtu rekomandojnë që, jo vetëm policia, por me programe për parandalim, duhet të kyçen edhe vet stafet e shkollave. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button