Pas një jave në Ohër do të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi

Pas një jave në Ohër do të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi

Një ditë pas qëndrimit në Kosovë të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ku takoi edhe krerët opozitarë, zyrtarë të lartë të PDK-së dhe LDK-së thonë se Kurti është pajtuar me çdo gjë në planin e BE-së dhe mbetet vetëm çështje ditësh nënshkrimi i marrëveshjes, bashkë me aneksin e zbatimit. Sipas tyre, i vetmi negocim do të jetë data e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Kryeministri tashmë është pajtuar me çdo gjë në atë plan dhe vetëm është çështje ditësh se kurdo të mbahet ceremonia e nënshkrimit”, tha Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së.
Më kritikues është deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Ai është pesimist se Kurti do të shtyjë përpara agjendën e tij sa i për ketë aneksit të planit të Bashkimit Evropian.

“Këta nuk janë në gjendje të negociojnë asnjë gjë. Çfarë degradimi ky është i procesit që tash dialogu të bartet në Shkup dhe bartet vetëm me negociuar datën se kur themelohet Asociacioni edhe këtë statusin e veçantë të kishës ortodokse serbe ose modalitetet e vetë menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”, u shpreh Avdullah Hoti, deputet i LDK-së.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë në Kosovë nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me negocimin për zbatimin e planit të BE-së për dialogun dhe mundësitë që ai të nënshkruhet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut. Gjatë kësaj jave në Kosovë qëndroi emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Pas takimeve me krerët e shtetit, ai tha se janë përmbushur pritshmëritë e tij nga pala kosovare për zbatimin e planit të BE-së. Ai në fillim të javës së ardhshme do të qëndrojë edhe në Beograd për të parë perspektivën e tyre për planin e BE-së. Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut pritet të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë të dialogut, ku pritet të diskutohet plani i BE-së për dialogun dhe aneksi për zbatimin e tij./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button