Shqetësime në rritje për korrupsionin

Shqetësime në rritje për korrupsionin

Rriten shqetësimet e ndërkombëtarëve për korrupsionin në vend. Përfaqësuesi i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor Stjuart Piç i bëri thirrje të gjithë politikanëve të këtushëm që të mendojnë mirë se cili është interesi më i mirë për shtetin dhe qytetarët. Piç në një intervistë për MIA tha se qytetarët e Maqedonisë së Veriut korrupsionin e shohin si ndër problemet kryesore në vend, ndërsa sipas tij Qeveria duhet të dëshmojë se po e lufton këtë dukuri.

“Sondazhet këtu tregojnë se opinioni, qytetarët e Maqedonisë së Veriut korrupsionin e perceptojnë si problem. Qeveria duhet të dëshmojë se po përballet me këtë problem. Ekzistimi i sistemit të pavarur për emërime në bazë të meritave, për shembull proces transparent zgjedhor të personave në pozita kyçe, përfshi edhe gjykatësit, anëtarët e Komisionit për luftë kundër diskriminimit dhe persona në pozita të larta udhëheqëse paraqet bazë të mirë, së bashku me nevojën për transparencë dhe llogaridhënie në më shumë institucione publike“, Stjuart Piç, përfaqësues i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.

Ditë më parë edhe ambasadorja amerikane në Shkup Angela Ageler e bëri të qartë se lufta kundër korrupsionit mbetet në fokus të politikës amerikane. Ageler në disa raste theksoi se do të ketë persona që do të gjenden në listën e zezë amerikane për shkak të korrupsionit.

“Korrupsioni në disa forma të tij, po ndodhë çdo ditë, kështu që ka njerëz të cilët ja vlen të konsiderohen, ndërsa për shkak se sistemi në Uashington është shumë i kujdesshëm në këtë pjesë, nevojitet kohë për hetime të krimit, në mënyrë që të sigurohemi se nuk e vendosim në listë dikë që nuk i takon asaj liste, kështu që është diçka e ndryshueshme dhe e lëvizshme, por mendoj që në muajt e ardhshëm do të shohim një emër apo dy, dhe ky do të jetë një proces që do të vazhdojë”, Angela Ageler, ambasadore e SHBA-së.

Ndërkohë ambasadori i BE-së në Shkup Dejvid Gir ditë më parë tha se në Maqedoninë e Veriut nuk bëhet fjalë për identifikim të individëve, por për ndryshimin e tërësishëm të sistemit në mënyrë që institucionet të luftojnë korrupsionin dhe t’i bëjnë të gjithë të kuptojnë se nuk ka tolerancë. Për 1 dekadë, BE-ja ka investuar më shumë se 140 milion euro ndërsa SHBA-të mbi 60 milion dollarë për luftën kundër korrupsionit, ndërsa vendi vazhdon të qëndrojë në fund të listave të organizatave ndërkombëtare. Sipas indeksit për perceptimin e korrupsionit, Maqedonia e Veriut u gjet në vendin e 85-të./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button