Pas protestës masive, protestuesit kalojnë natën para Kryeministrisë
Në Shqipëri një grup protestuesish kanë qëndruar tërë natën përpara Kryeministrisë, si vijim i protestës së mbajtur që prej pasdites së djeshme. Policia e Shqipërisë u ka bërë thirrje protestuesve të respektojnë ligjin, duke i paralajmëruar për paligjshmërinë e bllokimit të Bulevardit.
Qytetarët iu përgjigjën thirrjeve të Policisë me sloganin: “Rama, jep dorëheqjen”, duke vazhduar qëndrimin e tyre përpara Kryeministrisë.
Në Tiranë qytetarët kanë protestuar për të 21-tën herë mbrëmjen e djeshme teksa për orë të tëra janë mbledhur para kryeministrisë dhe kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit.
Pjesë e kësaj proteste është bërë edhe diaspora shqiptare.
“Kam ardhur nga Gjermani për të ndihmuar popullin tim. Populli im ka nëvojë më në fund për të bërë një ndryshim të madh”, tha Eduart Kaca, Protestues.
Përpara Kryeministrisë, ata mbajtën fjalime, teksa bënë thirrje edhe për të qëndruar në shesh deri në largimin e Qeverisë dhe dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama iu përgjigj kritikave dhe protestave që lidhen me projektin në zonën e Zvërnecit, duke theksuar se mbrojtja e natyrës dhe e flamingove është një kauzë fisnike, por që sipas tij nuk duhet të mbështetet mbi dezinformim apo narrative të krijuara nga algoritmet e rrjeteve sociale./Alsat.mk.








