Gazetar: Suad Bajrami
Kryeministri Hristijan Mickoski do të dërgojë ftesa te të gjitha partitë që kanë grup parlamentar në Kuvend për takim liderësh për më 14 janar në Klubin e Deputetëve.
“Ftesa për takim liderësh do të dorëzohet te të gjitha partitë politike që kanë grup parlamentar në Kuvend”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Kjo nënkupton që formati i takimit është parashikuar të jetë me gjashtë liderë apo përfaqësues të koalicioneve, aq sa ka grupe parlamentare në Kuvend. Pavarësisht se kreu i LSDM-së, Venko Filipçe refuzoi pjesëmarrjen në takim, Mickoski do të dorëzojë ftesë në LSDM. Pos tij, do ta ftojë edhe liderin e partisë opozitare E Majta, Dimitar Apasiev. Në një komunikim për Alsat, nga e Majta thonë se ende nuk e kanë marrë ftesën dhe për këtë ende nuk kanë qëndrim nëse do të marrin pjesë ose jo. Në takim do të ftohet edhe lideri i ZNAM-it, Maksim Dimtrievski
Në Bllokun politik shqiptar do të dorëzohen dy ftesa, te partneri VLEN dhe opozita Fronti Evropian. Për dallim nga VLEN, nga BDI e cila është parti lidere në Frontin Evropian thonë se do ta shqyrtojnë pjesëmarrjen pasi ta marrin ftesë.
Meqë parimi për të marrë ftesë është që partitë të kenë grup parlamentar, ftesë nuk do të marrin kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe krerët e ASH-së, Ziadin Sela e Arben Taravari.
Nga Qeveria nuk tregojnë rendin e ditës, megjithatë sipas paralajmërimit të kryeministrit Mickoski pritet që të bisedohet për shfuqizimin e qeverisë teknike, por edhe arritjen e konsensusit për ligjet e agjendës reformuese që ndodhen në Kuvend. Përfshirë, ligjin për Kodin Zgjedhor, Prokurorinë Publike, Shërbimin Prokurorial dhe Gjyqësor, por edhe Këshillit të Prokurorëve dhe të Gjyqtarëve. Temë diskutimi pritet të jetë edhe zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit, pasi institucioni tanimë gjashtë muaj punon me kapacitete të kufizuara./ Alsat.mk








