Për dy vjet, vetëm 17 kontrolle të cilësisë së karburantit

Gazetar: Ile Petreski

Për dy vjet, laboratori mobil për kontrollin e cilësisë së derivateve në Maqedoni ka bërë vetëm 17 kontrolle. Shteti shpenzoi gati 500 mijë euro për këtë laborator të lëvizshëm të vendosur në një furgon, shkruan Alsat.

Nga konstatimet e kontrolleve rezultoi se nuk ka parregullsi, për sa i përket cilësisë së benzinës dhe karburanteve dizel që derdhen dhe përdoren nga qytetarët në pikat e karburantit. Deri më tani, qytetarët në inspektoratin e tregut kanë ngritur një denoncim, për dyshimin se një pikë karburanti shet karburant të dyshimtë. Por, pas kontrollit, inspektorët nuk kanë konstatuar asnjë karburant të keq.

“Qytetarët mund të jenë të sigurt se po përdoret karburant i cilësisë adekuate”, tha Aneta Simevska Dimoska, drejtoreshë e inspektoratit të tregut.

Gjatë kontrollit në vendkalimet kufitare janë gjetur dy ngarkesa me mazut të cilësisë së dobët, të cilat do të përfundonin në vendin tonë. Por, ata janë kthyer menjëherë, thonë autoritetet. Inspektorët pohojnë se pas shpërthimit të aferës me importin e mazutit, janë forcuar kontrollet në pikat kufitare nga doganat.

“Ato cisterna janë kontrolluar në pikat kufitare. Si në pjesën e ujit, ashtu edhe në pjesën e hirit i tejkalon parametrat e parashikuar. Ato cisterna nuk hynë në Maqedoninë e Veriut, por u kthyen”, u shpreh Kreshnik Bekteshi- ministër i Ekonomisë.

Byroja e Meteorologjisë do të kontrollojë sasitë e mazutit, që do të hyjnë në vend. Ky institucion ka në dispozicion nga sot një laborator të ri me vlerë gati 400 mijë euro. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button