Për shkak të përmbytjeve nga reshjet e shiut, dy shkolla në Komunën e Skenderajt nuk do ta zhvillojnë procesin mësimor të hënën

Mbi 500 gjimnazistë në shkollën “Hamëz Jashari” në Skenderaj, nuk do ta mbajnë procesin mësimor as të hënën. Reshjet intensive të shiut kanë vërshuar të enjten katin e parë të objektit të gjimnazit, duke e pamundësuar mbajtjen e orëve mësimore.

Dyshemeja e shkollës është mbuluar nga balta, dyert janë thyer, e inventari është dëmtuar. Drejtori i gjimnazit, Hajdar Beka, ka treguar se është e pamundur që të hënën të nisë procesi mësimor.

“Kemi dëmet në sallën e edukatës fizike, pajisje teknologjike ku e kemi pasur komplet katin e parë me projektor dhe kompjuterë, do të thotë ka qenë gjithsecila klasë, ato të gjithë janë dëmtuar kemi edhe inventarin tjetër i cili është dëmtuar që kanë përdorë për pastrimin e objektit shkollor edhe ai është dëmtuar”, ka thënë Beka.

Procesi mësimor nuk do të zhvillohet as në shkollën e mesme profesionale “Anton Çeta”. Për arritjen e sanimit të dëmeve të shkaktuara në institucionet arsimore, drejtori i Arsimit në Skenderaj, Kastriot Duraku, ka thënë se nevojitet ndihma e nivelit qendror.

“Realisht prej 27 shkollave që kemi në Komunën e Skenderajt, diku të dëmtuara ose të vërshuar nga shiu këto ditë kanë qenë rreth 14, mirëpo ne që dy ditë jemi duke pastruar, duke krijuar kushtet për mësim nxënie nesër, diku rreth katër shkolla për momentin jemi duke pasur vështirësi te rikthejmë në funksion të plotë”, ka thënë Duraku. Përveç në Skenderaj, të premten procesin mësimor nuk e mbajtën asnjë shkollë në komunën e Mitrovicës dhe Klinës. Ndërsa në Podujevë, Pejë e Istog, mësimi nuk u zhvillua vetëm në disa shkolla.

Sipas drejtoreshës së Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriut, deri më tani kanë arritur t’i sanojnë të gjitha dëmet, në mënyrë që mësimi të fillojë të hënën në institucionet parauniversitare. Edhe në Komunën e Klinës kanë njoftuar se të gjitha institucionet arsimore do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor të hënën. Procesi mësimor do të zhvillohet edhe në fshatrat e Podujevës, Pakashticë dhe Peran, pasi të premten u raportuar për vërshime në oborre të shkollave. Probleme me nisjen e procesit mësimor të hënën nuk janë raportuar në Komunën e Pejës.

Në Drejtorinë e Arsimit në Istog kanë njoftuar se procesi mësimor do të zhvillohet të hënën, ndërsa orët e humbura do të kompensohen të shtunën e ardhshme.

LEXO EDHE:

Back to top button