Përdorimi i pajisjeve elektronike është shqetësues, fëmijët më të ekspozuarit nga përmbajtja online
Përdorimi i pajisjeve elektronike është shqetësues, fëmijët më të ekspozuarit nga përmbajtja online
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Mbi shtatëdhjetë për qind e fëmijëve të moshës nga gjashtë e deri shtatë përdorin tabletë ose dhe telefona të mençur. Sipas një studimi rreth 85 për qind e fëmijëve të moshës nëntë vjeçare janë vazhdimisht online, ndërsa përqindja është edhe më e lartë, te fëmijët deri në katërmbëdhjetë vjet. Sipas psikologëve qëndrimi në internet për një kohë të gjatë, sidomos përmbajtja ka pasoja të mëdha. Thonë se masat e prindërve duhet të jenë të menjëhershme.
“Në aspektin psikologjik ndoshta kohëzgjatja nuk dëmton shumë, edhe pse është izolimi social, orientimi e tjera, por përmbajtja është më tepër shqetësuese dhe ka ndikim në moshën më të re. Paramendojeni një fëmijë që ka akses në shumë faqe interneti që edhe për ne të mëdhenj duhet të jenë të limituara e fëmijët kanë qasje të hapur. Fëmijët nuk i kuptojnë gjërat nuk pyesin po thjeshtë i marrin si të tilla. Andaj edhe shohim gjeste të pakëndshme të fëmijëve siç është agresiviteti shprehjet vulgare e tjera, sepse s`kemi kontroll se çka shohin ata. Edhe lojërat që janë për moshën pesë gjashtë apo shtat vjeç janë lojëra shumë agresive dhe me një fjalor shumë banal që kërkon vazhdimisht prindi të jetë aty me fëmijën”, tha Fatime Ziberi, psikologe.
Mësimdhënësit thonë se ndikimi i përdorimit të tepërt të pajisjeve elektronike nga ana e fëmijëve është mëse evident. Satki ismaili thotë se elementi i parë që bie në sy është mungesa e socializimit.
“Duhet një orientim profesional edhe neve mësimdhënësve, këshillime me prindërit, këshillime me fëmijët dhe aktivitete më shumë në shkollë. Kjo është shumë brengosëse sepse, nëse këta rezultate tregojnë se çka ndodhi në Maqedoni dhjetë vitet e fundit, paramendoni se çka ndodh në Maqedoni ku situata është jashtë kontrolli, sepse, nuk kemi hulumtime të këtilla që do tregonin për një strategji afatgjate për çështjet arsimore për përdorimin e digjitalizimit. Pra këto janë rrugëtime digjitale tek fëmijët që janë shqetësuese por ne, ne jemi ata që duhet të kujdesemi për rrugëtimin digjital të fëmijëve që të mirë përdoret jo të keqpërdoret”, u shpreh Satki Ismaili, arsimtar.
Mbi 93 për qind e fëmijëve dhe të rinjve prej dhjetë vjeç e më shumë janë përdorues të rregullt të rrjeteve sociale. Kryeson YouTube me 87 për qind, përpara Instagramit dhe Snapchatit me 53 për qind dhe TikTokut me 51 për qind./Alsat.mk