Lija e deleve dhe dhive rëndon situatën e blegtorëve, ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet
Gazetare: Ilirida Sulejmani
Blegtorët kërkojnë masa urgjente për frenimin e lisë së deleve dhe dhive. Situata e krijuar nga kjo sëmundje po rrezikon sektorin e blegtorisë. Përfaqësues të Lidhjes së Barinjve, para Qeverisë kërkuan që të sigurojnë një vaksinë dhe të verifikohet nëse ajo është e përshtatshme, pasi çdo ditë po asgjësohen dele dhe po shkatërrohen tufa të tëra.
“Deri më tani kemi mbi 50 vatra të infeksionit, rreth 40-50 tufa të asgjësuara dhe rreth 40 familje kanë mbetur pa burimin e tyre të jetesës. Po mbeten në rrugë dhe nuk kanë se me çfarë të merren. Deri tani kemi zhvilluar tre ose katër takime me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, me Odën e Stacioneve Veterinare dhe me Fakultetin e Bujqësisë, por ende nuk ka përfundime konkrete”, deklaroi Naser Xhemaili, Kryetar i Lidhjes së Barinjve.
Blegtorët thonë se prej më shumë se një muaji po zhvillohen diskutime për vaksinimin, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Gjithashtu shqetësim i madh mbetet edhe mënyra dëmshpërblimit.
“Tashmë prej më shumë se një muaji po zhvillohen bisedime për vaksinimin. Deri më sot nuk kemi dëgjuar asnjë argument të qëndrueshëm kundër vaksinimit. I vetmi argument që na është dhënë është se, nëse vaksinojmë, Bashkimi Evropian mund të vendosë ndalim për eksportim. Megjithatë, as për këtë nuk kemi të dhëna zyrtare, nuk dimë nëse do të ketë ndalim, sa do të zgjasë apo në çfarë mase do të zbatohet..”, tha
Milena Veliçkoviq Anëtare e Bordit Drejtues të Lidhjes së Barinjve.
Delet janë burimi i vetëm i ekzistencës për blegtorët. Sipas tyre, shumë familje rrezikojnë të braktisin blegtorinë nëse nuk kanë mbështetje nga institucionet kompetente.
“Janë shfaqur vatra të reja të sëmundjes dje dhe pardje. Të gjithë janë të dëshpëruar dhe nuk dinë si të veprojnë. Ne jetojmë nga këto dele, dhe tani zgjidhja që na ofrohet është t’i vrasim, për ne kjo nuk është zgjidhje, është një katastrofë”, theksoi Ilmi Zekir (Bari).
Ndërkohë drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë liver Milanov, bëri të ditur se ka raste ku një pjesë e blegtorëve kanë vaksinuar delet me vaksina të papërshtatshme.
“Disa blegtorë, pa e njoftuar Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, kanë vepruar në mënyrë të pavarur. Pa përfshirjen e një mjeku veteriner dhe pa njoftuar institucionet përkatëse, ata kanë vaksinuar një pjesë të bagëtive me vaksina të papërshtatshme, si pasojë së cilës kemi marrë rezultate pozitive”, tha Oliver Milanovn, Drejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari./Alsat.mk.








