Situata alarmante në rajon: Zjarret përfshijnë Shqipërinë, Kroacinë dhe Greqinë, erërat përhapin flakët
Gazetare: Ilirida Sulejmani
Zjarret vijojnë të mbeten një nga sfidat më serioze dhe alarmante në Shqipëri. Temperaturat e larta dhe erërat kanë favorizuar përhapjen e flakëve në disa zona të vendit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë në 24 orët e fundit janë raportuar 33 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive dhe 5 janë në monitorim, ku në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 535 forca operacionale dhe 51 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 100 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Vatrat kryesore hasen në: Malin e Dajtit në Tiranë, Gurë-Lurë në Dibër, Qafë Helmës dhe Bruç, Lufaj në Mirditë dhe Fushë-Lajë në Pukë.
Rritja e temperaturave dhe ulja e lagështisë së tokës pritet ta bëjnë bimësinë më të ndezshme, duke zgjatur sezonin e zjarreve dhe duke rritur mundësinë që flakët të përhapen në sipërfaqe më të mëdha, ku dëmet transmetohen edhe në bujqësi, blegtori dhe turizëm, ndërsa komunitetet rurale humbasin burime të ardhurash nga druri, bimët mjekësore dhe produktet e tjera pyjore.
Vala e flakëve ka prekur edhe vende të tjera të rajonit. Situatë alarmante raportohet edhe në Kroaci, ku zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha, veçanërisht në zonën bregdetare të Omishit. Ndërsa në Salamina të Greqisë, zjarret masive i kanë marrë jetën dy personave, 10 persona raportohet se kanë mbetur të plagosur, ndërsa rreth 364 të tjerë janë evakuuar./Alsat.mk.








