“Perëndimi nuk mund t’i bëjë presion Kurtit”, Petkoviqi zemërohet me Lajçakun

“Perëndimi nuk mund t’i bëjë presion Kurtit”, Petkoviqi zemërohet me Lajçakun

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq ka paralajmëruar se Serbia do të synojë t’i mbajë zgjedhjet e 3 prillit edhe në Republikën e Kosovës, ndonëse një referendum për disa ndryshime në kushtetutën e Serbisë nuk u lejua të mbahej të dielën.

“Përkundër faktit se Albin Kurti e pengoi referendumin në Kosovë, ne do të vazhdojmë të punojmë për mbajtjen e zgjedhjeve më 3 prill”, ka thënë Petkoviq.

Duke folur për TV Prva, ai si gjithmonë, nuk la pa përsëritur diçka prej fjalëve të shefit të tij, duke thënë se Kosova do të përballet me “pasoja të paparashikueshme” pas vendimit për moslejimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë. Po njësoj u shpreh dje presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Situata është e tensionuar pasi dje është vërejtur një demonstrim i forcës nga Albin Kurti, policia e Kosovës dhe ROSU, të cilët kanë qëndruar në rrugën rajonale ndërmjet Lepovisaqit dhe Mitrovicës me armë të gjata dhe automjete të blinduara”, tha Petkoviq.

Ai tregoi se e ka telefonuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak për t’ia shprehur zemërimin për vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe për personat që u ndaluan në kufi kur tentuan ta fusnin materialin e referendumit. Petkoviq shprehet i zemëruar që Lajçak s’ka mundur ta bind kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për të ndryshuar mendje, transmeton Gazeta Express.

“E kam telefonuar Miroslav Lajçakun që njerëzit të lirohen dhe OSBE-ja ta marrë materialin dhe ta shpërndajë në komunitetet serbe. Ai tha se do t’i drejtohej Kurtit dhe kjo ishte e gjitha. Nuk mund të besoj se Perëndimi nuk mund t’i bëjë presion Kurtit”, tha Petkoviq.

“Perëndimi e mbështet Kosovën si fëmijën e tij”, ka shtuar ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën e kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për referendumin e Serbisë.

Me 76 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri Albin Kurti.

Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës duke e quajtur shkelje të rendit kushtetues të Kosovës.

Ekzekutivi i përballoi edhe kundërshtimeve nga shtetet e QUINT-it, që në një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, kërkuan që të lejohet mbajtja e referendumit.

LEXO EDHE:

Back to top button