Përfaqësimi/ Grupi i punës do të mblidhet brenda javës për të harmonizuar draft-ligjin me rekomandimet e Komisionit të Venecias

Përfaqësimi/ Grupi i punës do të mblidhet brenda javës për të harmonizuar draft-ligjin me rekomandimet e Komisionit të Venecias

Gazetare: Fatlume Dervishi

Qeveria vazhdon të përgjigjet “sa më shpejt që është e mundur” sa herë që pyetet për vonesat në procedimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Tani nga ekzekutivi thonë se gjatë kësaj jave grupi i punës do të bëjë harmonizimin e draftit me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Gjatë kësaj jave, një grup pune do të takohet për të harmonizuar Projektligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili u publikua në gjysmën e dytë të dhjetorit dhe mori një vlerësim pozitiv prej tij. Pas harmonizimit, Projektligji do të kalojë nëpër një filtër qeveritar, që janë procedura të brendshme qeveritare, dhe do të lëshohet në procedurë parlamentare”, njoftojnë nga Qeveria.

Nga ekzekutivi nuk përgjigjen në pyetjen se cilat janë rekomandimet më të rëndësishme që do të përfshihen në draft dhe as nëse do të organizohet debat publik ku do të ketë edhe ekspertë, në kuadër të procedurës parlamentare për miratimin e ligjit.

Ish Avokati i Popullit Naser Ziber, në intervistë për Alsat, nga informacionet që janë bërë publike, vlerëson se ligji është shumë larg pritshmërive për të zëvendësuar balancuesin. Ai kujton se Gjykata Kushtetuese, përveç balancuesit kishte shfuqizuar edhe dispozita të tre ligjeve të tjera për përfaqësim adekuat gjatë punësimit në administratë, të cilat drafti i ri nuk i kompenzon.

“Madje, sipas bindjes time të thellë, ai nuk mund të quhet as ligj sepse nuk ka norma juridike. Një normë juridike ka dy elemente themelore; dispozicionin dhe sanksionin. Ky propozim nuk ka sanksionin, nuk ka kritere dhe zbatimi i tij si i tillë pa dyshim që nuk mund të jetë substitut i instrumentit të deritanishëm dhe kjo do të lë pasoja shumë të rënda në sferën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të komuniteteve joshumicë. Edhe ashtu, informacionet e mia janë se në periudhën e deritanishme prej kur është suspenduar balancuesi, të gjitha institucionet, të gjitha ministritë, më nuk bazohen në asnjë kriter për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Është përkeqësuar gjendja e përfaqësimit të shqiptarëve? Është përkeqësuar në mënyrë rapide” , tha Naser Ziberi, ish Avokat i Popullit.

Qeveria përpiloi draft ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në qershor të 2025, pasi Gjykata Kushtetuese në tetor të 2024 shfuqizoi mekanizmin e njohur si balancues. Kaq muaj më vonë, miratimi i shpejtë i ligjit të ri mbetet premtim deklarativ, pa përcaktim të qartë kohor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button