Qeveria mohon akuzat e LSDM-së për rritjen e kuotës së punëtorëve të huaj

Qeveria mohon akuzat e LSDM-së për rritjen e kuotës së punëtorëve të huaj

Gazetare: Zekirija Haxhiu

LSDM-ja opozitare vazhdon të këmbëngulë se Qeveria planifikon të sjellë sa më shumë  punëtorë të huaj dhe për këtë së fundmi e ka rritur dhe kuotën e nevojshme vjetore në 10 mijë punëtorë. Madje për të lehtësuar sjelljen e migrantëve, nga LSDM thonë se kryeministri Mickoski në Davos do të takohet me kompani e cila punon me programe që lehtësojnë procedurat e sjelljes së migrantëve.

“Njerëz që nuk janë të vyeshëm për Britaninë e Madhe do të vijnë tek ne. Qeveria as që demantoi çështjet që ngriti media britanike e as që e nënshkruan rezolutën që e ofruam. Vijojnë zgjedhje kurdo që të jenë, e më pas të realizohet projekti migrantë për të holla, ky është qëllimi”, tha Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.

Por nga Qeveria kanë demantuar pohimet e opozitës duke theksuar se nevoja për angazhimin e punëtorëve të huaj konfirmohet në nivel vjetor sipas sektorëve dhe në bazë të kërkesave dhe analizave nga dhomat tregtare dhe punëdhënësit. Pohojnë se nuk ka paralajmërime të reja për ndryshim të këtyre kërkesave.

“Bëhet fjalë për konstruksione politike që dalin nga mungesa e ideve konkrete dhe koncepteve. Rikujtojmë se nuk ekziston, e as që do të ekzistojë çfarëdo marrëveshje apo politikë për pranimin e migrantëve, as në korniza të marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar, e as përmes çfarëdo marrëveshjeje”, thonë nga Qeveria.

Edhe nga Ministria e Ekonomisë thonë se për momentin në fuqi është kuota e fundit që u miratua në fund të vitit të kaluar e që hyri në fuqi më 16 janar të këtij viti e ajo është 10 mijë punëtorë të huaj.

“Me vendimin qeveritar që hyri në fuqi më 16 janar e me të cilën parashihen gjithsej 10 mijë punëtorë të huaj, 9750 janë për punësim të rregullt, 200 për të huaj të dërguar dhe 50 për angazhime sezonale. Në kuadër të punësimeve të rregullta, 4500 janë për punëtorë të rinj e 5250 për vazhdimin e lejeve tanimë të dhëna”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Ditë më parë kryetari i Dhomës së Tregtarëve, Branko Azeski, publikisht kundërshtoi vendimin e Qeverisë që të rritet numri i punëtorëve të huaj duke vlerësuar se ky hap nuk i zgjidhë problemet thelbësore të tregut dhe mundet madje që të përkeqësojë dhe dëmtojë fuqinë punëtore vendore.

Ndërkohë ka dështuar edhe peticioni i ngritur më 9 dhjetor nga LSDM për mbrojtje të Maqedonisë nga migrantët dhe vendosjen e kampeve. Nga 50 mijë nënshkrimet e nevojshme, LSDM mblodhi vetëm 2125./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button