Gazetar: Suad Bajrami
Për kaosin e krijuar me pasqyrën statistikore të përfaqësimit etnik në administratë, Ministria e Goran Minçevit thotë se nuk është përgjegjëse. Për mospërputhjen me Avokatin e Popullit, gishtin e drejtojnë kah vetë institucionet.
“Për saktësinë dhe relevancën e atyre të dhënave përgjegjës janë vetë institucionet, të cilat kanë obligim ligjor që rregullisht t’i vendosin, përditësojnë, plotësojnë dhe verifikojnë informacionet në sistem. Plotësisht, të dhënat që shfrytëzohen për hartimin e raportit kryqëzohen edhe me të dhënat zyrtare me të cilat disponon Agjencia e Punësimit dhe Regjistri Qendror, me qëllim që të sigurohet nivel më i lartë i harmonizimit dhe precizitetit”, thonë nga Ministria e Administratës.
Paraprakisht njoftuam se të dhënat e publikuara për përfaqësimin, Ministria e Administratës nuk i ka të njëjta me të Avokatit të Popullit i cili llogaritet institucion reprezent dhe referencë ndërkombëtare.

Pos ekzekutivit, dallim të theksuar ka pikërisht për të dhënat e Avokatit të Popullit. Vetë institucioni ka deklaruar se 29,4% e të punësuarve janë shqiptarë, ndërsa Ministria e Administratës ia ka numëruar 22.22% apo 7,18 më pak. Të dhëna jo të harmonizuara në nivel deri në 5% ka në të gjitha institucionet tjera, si te Avokatura e Shtetit, KSHZ, Banka Popullore, Kuvend, Komisionin për Antikorrupsion, Prokurori, Presidencë, Gjykatë Kushtetuese dhe të tjera.
Mospërputhje ka edhe sa i përket numrit të përgjithshëm të institucioneve që kanë mbledhur të dhëna, pasi Avokatin e Popullit vitin 2024 e kanë bojkotuar 89 institucione nga gjithsej 1.340. Kur bëhet fjalë te pyetja me interes se sa është numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin publik, edhe këtu ka dallim. Avokati i Popullit thotë që ka gjithsej 128.009 të punësuar, ndërsa Ministria 687 më pak, respektivisht 127.322 të punësuar. Për dallim prej Avokatit të Popullit, ka institucione që Ministria fare nuk tregon për përfaqësimin etnik, siç është Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë ku sipas Avokatit të Popullit, shqiptarët përfaqësohen me vetëm 1.5%.
Mospërputhja e të dhënave nga dy institucione që ndjekin të njëjtin parametër, përkatësisht përfaqësimin etnik në administratë, krijon amulli dhe paraqet mundësi për keqinterpretim të statistikave, rrjedhimisht politikave. Shqetësimi, sidomos rritet në rrethana kur nuk ka një mekanizëm që urdhëron apo garanton respektimin e parimit kushtetues të përfaqësimit. /Alsat.mk








