Kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje studentëve të rinj që pavarësisht se ku do t’i çojë rruga, të kthehen në vendlindje dhe të kontribuojnë për të ardhmen e vendit. Duke folur para studentëve në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, Mickoski tha se të rinjtë duhet të udhëtojnë, të marrin njohuri dhe të shfrytëzojnë mundësitë që u ofrohen, por në fund të kthehen në shtëpi.
“Ku do që shkoja, kthehesha përsëri dhe e dija se këtu do ta krijoja familjen time dhe këtu do ta vazhdoja jetën time. Në këtë mënyrë i edukoj edhe dy djemtë e mi, Jovanin dhe Antonijin, të udhëtojnë, të fitojnë dije, të shoqërohen, ta shohin të gjithë botën dhe kudo që të kenë mundësi, të mos e refuzojnë atë mundësi. Por në fund, të kthehen në shtëpi dhe së bashku, në shtëpi, të luftojmë për atdheun tonë të përbashkët, Maqedoninë.” – Hristijan Mickoski, kryeministër./Alsat.mk








