Kompozitori Adiran Hila, videot e të cilit me përmbajte intime ku janë përfshirë disa yje të estradës shqiptare, do të paraqitet në polici. Ai u ka thënë autoriteteve se është hakuar dhe se ndjehet i tronditur. Hila madje i ka thënë policisë se ai është viktima në këtë rast.
“Ai ka thënë se videot nuk i ka nxjerrë vetë, duke konfirmuar që ka qenë në dijeni për kamerën e fshehtë, por nuk ishte në dijeni që videot janë shpërndarë në internet.
Policia e Tiranës pritet ta marrë në pyetje imtësisht kompozitorin. Nga ana tjetër janë kontaktuar edhe katër personat e shfaqur në video. Dy prej tyre janë në gjendje shumë të rënduar psikologjike, ndërsa dy të tjerat kanë kërkuar kohë dhe do të paraqiten për të dëshmuar për gjithçka që i lidh ato me videot që janë virale.
Marrja e tij në pyetje pritet të zhvillohet në kuadër të verifikimeve që po kryhen nga strukturat e Krimit Kibernetik lidhur me publikimin dhe shpërndarjen e materialeve.
Specialistët e Krimit Kibernetik pritet të kryejnë ekspertim të pajisjeve, përfshirë DVR-në ku ruhen pamjet, për të verifikuar nëse ka pasur ndërhyrje të paautorizuar.
Policia e Tiranës ka nisur hetimet për katër vepra penale: përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, ndërhyrja në të dhënat kompjuterike, ndërhyrja e padrejtë në jetën private dhe keqpërdorimi i pajisjeve. si dhe për të përcaktuar burimin e materialeve dhe personat që kanë publikuar apo shpërndarë videot në internet. Çështja i është referuar edhe Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Mediat në Shqipëri raportojnë se një nga pistat që po hetohet është mundësia që në sistem të jetë ndërhyrë në distancë ose përmes rrjetit wireless të internetit të zyrës. Ekspertiza pritet të ndihmojë në identifikimin e gjurmëve digjitale dhe mënyrës së aksesimit të pamjeve.
Paralelisht, policia pritet të kërkojë bashkëpunimin e platformës ku janë publikuar materialet, me qëllim identifikimin e përdoruesit që i ka ngarkuar ato. Në fokus janë edhe faqe të tjera interneti ku mund të jenë shpërndarë të njëjtat pamje, pasi hetuesit po verifikojnë nëse materialet janë ripublikuar në platforma të ndryshme.
Në varësi të rezultateve të ekspertizës dhe deklarimeve që do të merren, hetimi pritet të qartësojë jo vetëm mënyrën e nxjerrjes së materialeve nga sistemi, por edhe personat që kanë pasur qasje dhe që mund të kenë kryer publikimin e tyre./Alsat.mk








