Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në Prishtinë se aktgjykimi dënues i gjykatës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duhet të respektohet plotësisht, duke ngulur këmbë njëkohësisht se “askush dhe asgjë” nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Von der Leyen, në vizitën e saj të gjashtë në Kosovë, tha se “ky aktgjykim u dha nga institucione të pavarura gjyqësore dhe mandati i tyre duhet të respektohet plotësisht”.
“Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të fuqishme, e çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që bëjnë thirrje për qetësi. Një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të pandehurve; rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim dhe ne duhet të nderojmë kujtimin e të gjitha viktimave nga të gjitha komunitetet”, shtoi ajo./Alsat.mk








