Përfundoi gjykimi për Rade Trajkovskin–Shtekli dhe grupit të tij kriminal
Gazetar: Petar Çaushevski
Tetë vite burg për Rade Trajkovski- Shtekli, si udhëheqës i grupit kriminal që furnizonte dhe shiste drogë nëpër Shkup. Anëtarët e tjerë të grupit kriminal, Stefan Kitanov, Aleksandar Vuçevski, Stojan Ivanov dhe Filip Tanevski u dënuan me nga 3 deri në 5 vite burg. Nga Prokuroria thonë se është ende herët të deklarohen nëse do të paraqesin ankesë ndaj vendimit.
“Është ende herët të shprehem për këtë. Kur ta marrim vendimin me shkrim, do t’i lexojmë arsyetimet për rrethanat rënduese dhe lehtësuese dhe më pas do të vendoset nëse do të paraqitet ankesë apo jo”, deklaroi Verica Berzhetska Kërstevska, prokurore.
Pasi u shpall vendimi, gjykata e pranoi propozimin e Prokurorisë dhe të dënuarit mbeten në paraburgim dhe në arrest shtëpiak deri sa vendimi të bëhet i plotfuqishëm edhe pse mbrojtja e të akuzuarve kërkoi heqjen e masave të paraburgimit. Mbrojtësi i Trajkovskit, avokati Aleksandar Novakovski, thotë se do të ankohen ndaj vendimit pasi ta marrin atë me shkrim.
“Mendoj se për dënimin vendosi gjykata dhe nuk do të doja ta komentoj aspak në lidhje me bazën dhe lartësinë e tij. Por duhet të them se i akuzuari Rade Trajkovski gjatë gjithë rrjedhës së procedurës e pati të vështirë ta ndjekë të gjithë seancën dhe për këtë arsye ishte e vështirë të siguroheshin edhe prova që shkonin në mbrojtje të tij, për shkak të problemeve shëndetësore”, tha Aleksandar Novakovski, avokat i Rade Trajkovski – Shteklit.
Trajkovski u bë i njohur në publik pasi disa herë ndaj tij pati përpjekje të pasuksesshme për vrasje ndërsa gjatë procesit gjyqësor mbrojtja e tij përmes ekspertizave pretendonte se ai ka probleme psikike dhe halucinacione. Në këtë rast fillimisht ishin përfshirë 16 persona; 7 prej tyre arritën marrëveshje dhe u dënuam me burg, ndërsa katër të tjerë pranuan fajësinë dhe për ta procedura u veçua. Ata u akuzuan se ishin grup i organizuar që furnizonte dhe shiste kokainë dhe marihuanë, të cilat i mbanin në banesa nëpër Shkup./Alsat.mk.








