SASHK-u s’i bashkohet protestës së 1 Majit, zgjedh debatin për sfidat e punëtorëve
Gazetare: Melihate Rustemi
Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nuk do t’i bashkëngjitet protestës së 1 Majit. Kreu i saj, Jakim Nedellkov tha se në prag të kësaj dite kanë zgjedhur të debatojnë rreth sfidave dhe zbatimit të politikave të punës dhe marrëveshjet kolektive. Sipas tij, problemet më të mëdha lidhen me mosrespektimin e marrëveshjeve kolektive dhe interpretimin e tyre të gabuar, veçanërisht nga punëdhënësit. Nedellkov tha se një çështje tjetër shqetësuese është fakti që edhe punëtorët që nuk janë anëtarë të sindikatave përfitojnë nga të drejtat e siguruara përmes negociatave, pa kontribuar financiarisht, duke krijuar një situatë të padrejtë për anëtarët që paguajnë rregullisht.
“Ky është një nga problemet tona më të hidhura, ku ata që nuk janë anëtarë, që nuk e financojnë sindikatën për të negociuar me ministrat përkatës dhe me kryetarët e komunave, i gëzojnë falas të drejtat e atyre që paguajnë për përfitimet e punëtorëve. Nëse pyesim se a janë ata të diskriminuar në raport me anëtarët e sindikatës, do të thosha jo, është e kundërta. Këta që nuk paguajnë asnjë denarë i shfrytëzojnë të njëjtat privilegje, gjë që konsideroj se është absolutisht e padrejtë”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski tha se qëllimi i dikasterit të tij është të fillojë procesin për miratimin e ligjit për të drejtat e punëtorëve, Ligjit për marrëdhënie pune, për të cilin punohet tashmë tetë vite, por ende nuk është miratuar.
“Me këtë do të krijoheshin zgjidhje shumë më cilësore për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Gjithashtu, do të përmirësohej marrëdhënia midis punëtorëve dhe punëdhënësve, duke futur mënyra të reja moderne të punës dhe të drejta të reja, si orari fleksibil, puna online, puna nga shtëpia, si dhe fleksibilitet për prindërit me fëmijë të vegjël ose anëtarë të familjes me nevoja të veçanta”, theksoi Marjan Risteski, zv ministëri Ekonomisë.
Në Ditën e Punës Lidhja e Sindikatave organizon protestë tradicionale për paga më të larta dhe për më shumë të drejta për punëtorët./Alsat.mk.








