Përgjegjësi për inspektimin e gabimeve gjuhësore, me 7 gabime në tre fjali

Përgjegjësi për inspektimin e gabimeve gjuhësore, me 7 gabime në tre fjali

Në Maqedoninë e Veriut, ka inspektorat dhe drejtori për zbatimin e gjuhës shqipe. Por një gjë e tillë, duket se është vetëm në letër e jo në praktikë.

Nëpër shumë institucione publike dhe jovetëm, gjuha shqipe nuk shkruhet drejtë. Ka raste edhe kur fjalia e humb kuptimin derisa gabime trashanike bëhen edhe nëpër kufijtë e shtetit.

Një e tillë është në kufirin e Bllacës, ku tabela që u thotë qytetarëve “Mirupafshim” është e shkruar “Lamtumirë”, shkruan Alsat.

Së fundmi janë emëruar drejtorët e rinj nga Qeveria e re, për respektimin dhe zbatimin e gjuhës shqipe.

Arsim Idrizi tashmë ka marrë detyrën e drejtorit të Inspektoratit të Zbatimit të Gjuhëve dhe Granit Osmani drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe.

Të dy drejtorët dje realizuan një takim ku përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, drejtori i Inspektoratit të Zbatimit të Gjuhëve, ka shkruar se janë dakorduar për bashkëpunim, duke i shtyrë proceset përpara në të mirë të qytetarëve.

Por, në shkrimin e tij prej tre fjalish janë shtatë gabime gjuhësore.

“Sot bashk me ekipin e Inspektoratit të Zbatimit të Gjuhëve realizuam takim me drejtorin e Agjensionit të Gjuhës Shqipe z. Granit Osmani.

Të dytë ishim dakord që bashkarisht ti shtyejm proceset në të mirë të qytetarëve në Republikën e Maqedonis së Veriut.

Bashkëpunimi do të vazhdoi edhe në të ardhmen.

Drejtor Arsim Idrizi

08.08.2024”.

Në vend të bashkë, drejtori e ka shkruar bashk, në vend të Agjencisë ai e ka shkruar Agjensionit, në vend të bashkërisht ai e ka shkruar bashkarisht, në vend të t’i ai e ka shkruar ti, në vend të shtyjmë ai e ka shkruar shtyejm, në vend të Maqedonisë ai e ka shkruar Maqedonis dhe në fund, në vend të vazhdojë ai e ka shkruar vazhdoi./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button