Gazetar: Suad Bajrami
Kryetari i Komunës së Kërçovës dhe kandidati i AKI-së, Fatmir Dehari, ka reaguar lidhur me publikimin e përgjimeve në rrjetet sociale gjatë këtyre ditëve derisa po përmbyllet fushata zgjedhore. Dehari, një bisedë të shkurtër telefonike për Alsat, theksoi që përgjimet janë montazh dhe janë të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo që pretendon “El Cheka” se ka përdorur fjalor të papërshtatshëm dhe eksplicit me disa të punësuar të komunës, dhe se është i përfshirë në shpërdorime financiare. Ndërsa në reagimin e tij publik shprehet se me këtë po i bëjnë shantazh për të demoralizuar mbështetësit e tij dhe për të favorizuar VMRO-DPMNE-në në garën për Kërçovën.
“Në këtë fushatë përdoren materiale të montuara, të fabrikuara dhe plotësisht të pavërteta, që cenojnë jetën time private dhe përpiqen të prishin marrëdhëniet me njerëzit e mi të afërt dhe me qytetarët që më njohin prej vitesh. Ky inskenim ka një qëllim të qartë , të demoralizojë mbështetësit tanë dhe të favorizojë VMRO-DPMNE-në dhe kandidatin e saj, në përpjekje për të marrë Kërçovën përmes shpifjeve dhe manipulimeve. Kam ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë të nevojshëm për të zbardhur plotësisht këtë rast”, tha Fatmir Dehari, Kryetar i Kërçovës.
Kundërkandidati i tij nga radhët e VLEN, Fatmir Limani, lidhur me publikimin e përgjimeve theksoi që do të ia lë organeve të drejtësisë të merren me këtë çështje.
“Do t’ua lëmë Prokurorisë këto çështje të përgjimeve që kanë ndodhur në Kërçovë, unë me keqardhje e përshkoj gjithë këtë situatë sepse mbi të gjitha unë në fund të ditës edhe në fund të çdo ngjarje kujtoj fëmijët e tyre, kujtoj familjarët e tyre dhe fundi fundit nuk i pëlqej këto mënyra dhe këto forma. Por sido që të jetë, secili politikan do të duhet t’i vendos gishtin kokës dhe të kujtojë në të gjitha hapat që i zhvillon se si sillet sepse vjen një ditë dhe përmbyllet edhe karriera”, deklaroi Fatmir Limani, Kandidat i VLEN për Kërçovën.
Lidhur me rastin, kanë reaguar tanimë për të dytën ditë me radhë edhe nga VMRO-DPMNE, të cilët kërkojnë intervenim urgjent nga institucionet. Nga Prokuroria Kërçovës dhe Sektori për Punë të Brendshme Ohër, njoftojnë për Alsat se deri më tani nuk është dorëzuar kallëzim ose informatë lidhur me ngjarjen. /Alsat.mk








