Perinski: Informacionet për fituesin e tenderit nuk janë të vërteta

Perinski: Informacionet për fituesin e tenderit nuk janë të vërteta

Gazetar: Mefail Ismaili

Emrat e kompanive që qarkullojnë në opinion për marrjen e tenderit për Stacionin pastrues të ujërave të zeza në Qytetin e Shkupit, nuk janë aspak të vërteta, sepse ende qëndrojnë të mbyllura në zarfe. Kështu deklaron ish-drejtori i “Ujësjellësit dhe Kanalizimit”, Zllatko Perinski, i cili shton se për këtë çështje në opinion kanë qarkulluar shumë informata të rrejshme. Sipas tij, Banka Evropiane për Investim vetëm pak minuta para konferencës së djeshme, e ka informuar me e-mail, se nuk kanë asnjë vërejtje për fazën teknike të tenderimit. Perinski shton se kërkesa e kryetares së Qytetit të Shkupit që të ndryshohen anëtarët e komisionit për evaluim vendos në rrezik fazën tjetër të tenderit.

“Rrezikojmë së tepërmi, për shkak se njerëzit që i plasuan këto të pavërteta, madje edhe nga Qyteti i Shkupit, nuk kanë njohuri elementare si zbatohet kjo procedurë… Nga Banka mora përgjigje se pasi në këtë fazë është përfunduar pjesa e parë e Evaluimit, pjesa teknike, nuk është mirë që të ndryshohen anëtarë të komisioneve evoluese pasi do të humbet kohë, sepse nuk mund të vlerësoni pjesën financiare të ofertës nëse nuk e dini pjesën teknike të ofertës. Ky ishte komenti i Bankës Evropiane Investuese, komenti i njëjtë ishte edhe nga konsultuesit e huaj që e ndjekin realizimin e projektit”, tha Zllatko Perinski, ish drejtor i Ujësjellësit – Shkup.

Ish drejtori i ujësjellësit Zllatko Perinski shton se këtë shkresë të Bankës Evropiane për Investim ia ka dërguar kabinetit të kryetares së Shkupit Danella Arsovska dhe ka kërkuar të takohet me të për ta sqaruar, por Arsovska nuk ka pranuar. Tentuam disa herë për të marrë qëndrim edhe nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, por as ajo dhe as kabineti i saj nuk ishin të kapshëm. Në bregun e djathtë të Lumit Vardar, më konkretisht në vendbanimin Trubarevë në Komunën e Gazi Babës, parashikohet që të ndërtohet Stacion për pastrimin e ujërave të zeza. Ky stacion parashikohet të ndërtohet në hapësirë prej 13 mijë hektarë dhe duhet të jetë me kapacitet për 500 mijë banorë. Me ndërtimin e këtij Stacioni për pastrimin e ujërave të zeza, Lumi Vardar duhet të ketë ujë 90% më të pastër, përmirësimin e kushteve në mjedisin jetësor si dhe të ndikojë në ndryshimet klimatike të kryeqytetit, kushte që janë edhe pjesë e kritereve për hapjen e negociatave me BE-në. I gjithë projekti i ndërtimit të Stacionit pastrues të ujërave të zeza kushton 136 milionë euro dhe mbështetet nga Banka Evropiane për Investime, Banka Evropiane për Zhvillim dhe Ripërtëritje, si dhe nga Komisioni Evropian përmes Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button