Përkeqësohet situata në kufirin polako-bjellorus

Më shumë dhunë u raportua në kufirin polako-bjellorus dje, edhe pse palë të ndryshme në mosmarrëveshje kërkuan qetësi ose kërkuan të sillnin ndihmë për emigrantët e bllokuar në tokën e askujt.

”Një grup prej qindra migrantësh u përpoqën të kalonin kufirin të premten vonë, të armatosur me gaz lotsjellës nga Bjellorusia, të cilin e përdorën kundër forcave polake”, shkruan zyrtarët polakë të sigurisë në Twitter.

”Ushtarët bjellorusë dëmtuan gjithashtu barrierën e përkohshme të kufirit dhe verbuan zyrtarët polakë me rreze lazer”, sipas tuitit.

Gazeta opozitare bjelloruse ”Nexta” publikoi video në Telegram që tregonin forcat bjelloruse të sigurisë që gjuanin në ajër për të frikësuar migrantët, përfshirë fëmijë.

Duke qenë se gazetarëve të pavarur iu mohohet qasja në zonën kufitare, është e pamundur të verifikohet një informacion i tillë.

Gjithashtu të shtunën, policia polake zbuloi një tjetër emigrant të vdekur në zonën kufitare të vendit me Bjellorusinë.

”Ai u identifikua si një shtetas sirian 20-vjeçar’, tha një zëdhënës i policisë për agjencinë polake të lajmeve PAP.

Trupi u zbulua nga një pylltar afër fshatit Wolka Terechowska.

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, i quajtur shpesh diktatori i fundit i Evropës, akuzohet se ka lejuar njerëzit nga zonat e krizës të fluturojnë drejt Bjellorusisë, në mënyrë që më pas t’i devijojë ata drejt vendeve të BE-së në kufirin e tij.

Ai dyshohet se e ka bërë këtë për të ndëshkuar vendet e BE-së për sanksionet e vendosura pas akuzave se ai rregulloi zgjedhjet e vitit të kaluar për të siguruar një mandat të ri në detyrë.

Lukashenko i mohon të gjitha akuzat.

Megjithatë, vendet në kufirin me Bjellorusinë nuk po i lejojnë emigrantët të hyjnë dhe autoritetet bjelloruse nuk do t’i lënë ata të kthehen, që do të thotë se mijëra njerëz janë bllokuar në tokën e askujt përgjatë kufijve të Bjellorusisë ndërsa kushtet e motit të dimrit po përkeqësohen.

LEXO EDHE:

Back to top button