Përkujtohet 80 vjetori i Holokaustit

Përkujtohet 80 vjetori i Holokaustit

Gazetar: Adnan Qaili

Ende pa i mbushur 10 vjeç, në atë kohë Naxhi Ndoci banor i Shkupit rrëfen historinë e kobshme të 1943-ës. Ndoci kishte parë me sy deportimin e hebrenjve nga Maqedonia. Ai tregon se si fëmijë mblidhnin ushqime nga shtëpitë e shqiptarëve dhe fshehurazi nga policët bullgarë, u dërgonin hebrenjve te grumbulluar me dhunë te Kombinati i duhanit në kryeqytet, të cilët u mbajtën tri javë deri në transportimin në Poloni. Ndoci tregon edhe aktet heroike që kanë bërë disa shqiptarë, të cilat duke rrezikuar edhe jetën, i kanë fshehur disa familje hebrenj dhe më pas i kanë nisur në Shqipëri, ku ishte streha e vetme e tyre në atë kohë për t’i shpëtuar vdekjes. Këto janë vetëm disa nga rastet e dokumentuare nga Shoqata Hebrenjve.

“Tregtarët shqiptarë i kanë fshehur 5-6 familje hebre në bodrumet e shtëpive të tyre. Policia kur ka bërë bllokadën e kontrollimit në tërë qytetin nuk i kanë zbuluar. Pasi që u lirua pak situata përmes lidhjeve të fshehura me dokumente false i kanë dërguar në Kaçanik dhe nga aty nëpër male në Shqipëri, ku ishte kufiri në mes të Bullgarisë fashiste dhe Shqipërisë”, tha Naxhi Ndoci, ish gazetar.

Ishin 7.144 pjesëtarë të këtij komuniteti që jetonin në Maqedoninë e atëhershme, të cilët në mars të vitit 1943 së bashku më dhjetëra mijëra hebrenj të tjerë që jetonin në territoret e pushtuara, ishin dërguar në kampin e shfarosjes në dhoma të gazit helmues dhe asnjë prej tyre nuk u kthye i gjallë.

“Regjimi bullgar fashist e bllokoi mëhallën e hebrenjve dhe gjithandej qytetin duke i grumbulluar të gjithë hebrenjtë në një vend. Na erdhi çudi përse hebrenjtë, çfarë kanë bërë ata që të veprohet kështu ndaj tyre. Dëgjonim që në Evropë e gjithandej po ndiqeshin, por kjo i gjeti edhe hebrenjtë e Shkupit. U hap fjala se i kanë ngarkuar në vagonë të kafshëve me tren i kanë quar në Treblinka të Polonisë, në dhoma të gazit”, shtoi ai.

Në kampet e Treblinkës, në periudhën korrik 1942 – tetor 1943, sipas autoriteteve izraelite, por edhe hulumtuesve të ndryshëm, nga regjimi nazist gjerman dhe mbështetësit e tyre, janë vrarë mizorisht rreth 850.000 njerëz, prej të cilëve më shumë se 800.000 hebrenj. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, thuhet se janë vrarë rreth 6 milion hebrenj, kryesisht nga Gjermania Naziste e udhëhequr nga Adolf Hitler./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button