Përpjekje të shumta për evakuimin e civilëve nga fabrika e çelikut në Mariupol

Përpjekje të shumta për evakuimin e civilëve nga fabrika e çelikut në Mariupol

Forcat ruse kanë vazhduar sulmin e tyre në fabrikën e çelikut, Azovstal, në Mariupol, duke përdorur avionët për të sulmuar luftëtarët ukrainas që gjenden brenda kësaj fabrike. Vlerësohet se 2,000 ushtarë ukrainas dhe qindra civilë vazhdojnë të jenë brenda Azovstalit, teksa Kombet e Bashkuara thanë se kanë nisur përpjekjet e radhës për evakuimin e civilëve. Zyra e presidentit të Ukrainës tha se deri më tani pothuajse 500 civilë janë evakuuar nga Mariupoli dhe Azovstali në operacionin e udhëhequr nga OKB-ja.

“Granatimet dhe sulmet ruse ndaj fabrikës së çelikut nuk ndalen. Duhet të nxirren civilët. Shumë fëmijë që janë ende atje. Vetëm mund ta imagjinoni këtë ferr. Më shumë se dy muaj granatime të vazhdueshme, bombardime, vdekje të vazhdueshme. Ne po bëjmë gjithçka për të gjetur një zgjidhje për të shpëtuar njerëzit tanë, heronjtë që mbrojnë Mariupolin kundër pushtuesve. Ka shumë të plagosur, por nuk dorëzohen. As ne nuk dorëzohemi”, tha Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës.

Mariupoli është shndërruar në gërmadhë pas sulmeve të vazhdueshme ruse. Ndërkaq, në fabrikën e Azovstalit, trupat ukrainase po bëjnë rezistencën e fundit kundër forcave ruse, teksa këta të fundit po tentojnë që ta marrin kontrollin e plotë të qytetit. Luftimet në Azovstal vijnë teksa Rusia vazhdon ofensivën e saj në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, por nuk raportohet se ka bërë ndonjë përparim të madh, pasi forcat ukrainase kanë bllokuar disa lëvizje ruse dhe madje kanë rimarrë kontrollin e disa pjesëve të territoreve. Luftimet në fabrikën e çelikut në Mariupol vijnë në mes të spekulimeve se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron një fitore në Ukrainë që do të mund ta përdorë gjatë 9 Majit, kur Rusia shënon Ditën e Fitores – përvjetorin e mposhtjes së Gjermanisë Naziste. Humbja e Mariupolit do ta shkëpuste Ukrainën nga një port i rëndësishëm në Detin e Azovit. Po ashtu, do t’i jepte Rusisë mundësinë që të krijonte një korridor tokësor me Gadishullin e Krimesë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button