Përplasjet për mesazhin e pretenduar të Ferit Hoxhës, VLEN kritikon heshtjen e Tiranës, BDI akuzon për aleancë me VMRO-në

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Kanë vazhduar përplasjet politike për mesazhin, ku pretendohet se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha është shprehur me një fjali me përmbajtje fyese: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”. Mesazhi vjen në kontekstin e një diskutimi ku përmendet edhe një shkrim i gazetës “Nova Makedonija” lidhur me një deklaratë të kryeministrit Edi Rama. Vlen e ka cilësuar si skandal të rëndë politik dhe diplomatik.  Thonë se është shqetësuese heshtja e Tiranës zyrtare, ndërsa shtojnë se mesazhi bëhet edhe më i rëndë nga fakti se në atë komunikim figuron edhe ambasadori i Shqipërisë në vend, Denion Mediani.

“Hoxha e fshiu postimin, sikur me një klik mund të fshihej edhe ofendimi publik. Por fshirja e postimit nuk mjafton. Për një akt të tillë duhet falje publike. Edhe më shqetësuese është heshtja e Tiranës zyrtare. Asnjë distancim dhe asnjë fjalë për këtë gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Në vend që të dënohej një gjuhë e tillë, me të drejtë është krijuar përshtypja se Tirana zyrtare, përmes ambasadorit të saj, po vendoset në funksion të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kjo është e papranueshme” – VLEN.

Nga ana tjetër, BDI akuzon VLEN-in, pasi siç thonë, vepron sipas rolit që i ka caktuar VMRO-DPMNE, si zëdhënës kundër Shqipërisë dhe interesit shqiptar.

“Prej javësh Hristijan Mickoski ka hapur sulme politike ndaj Shqipërisë, sepse Shqipëria nuk hesht përballë cenimit të barazisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe sepse ecën përpara në procesin evropian.  Në vend që të mbrojnë dinjitetin e shqiptarëve këtu, Vlen u rreshtua menjëherë në të njëjtën vijë me VMRO-DPMNE. Sot pamë diçka të paprecedentë: të përzgjedhurit e tyre shqiptarë në qeveri që sulmojnë Shqipërinë me gjuhë më të ashpër se partnerët e tyre maqedonas” – BDI

Ky mesazh, ku pretendohet se Ferit Hoxha ka përdorur gjuhë fyese, ka shkaktuar reagime të shumta edhe në Shqipëri. Partia Demokratike e Shqipërisë ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të shefit të diplomacisë shqiptare. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë  ka reaguar duke i quajtur këto pretendime të pavërteta dhe të fabrikuara për qëllime politike. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button