Përshkallëzohen protestat në Greqi/ Fermerët të pakënaqur me premtimet e kryeministrit
Përshkallëzohen protestat në Greqi/ Fermerët të pakënaqur me premtimet e kryeministrit

Tre ditë pasi kanë hyrë me traktorët e tyre në Selanik duke rrethuar ekspozitën Agrotica, fermerët grekë po përshkallëzojnë protestat e tyre pasi konsiderojnë si thërrime deklaratat e djeshme të kryeministrit Mitsotakis për ndihmat ekonomike që ata kërkojnë prej qeverisë.
“Vijmë sot këtu të bëhemi një mur, si muri kinez, një front rezistence, sepse shprehja famëkeqe klisheqë e dëgjoni kaq shpesh për një rritje të çmimeve bujqësore nga fusha në raftet e supermarketeve po na vret jo vetëm ne që prodhojmë për edhe kosnumatorët”, tha Yiannis Panagis-zëvendës President i Shoqatës së Bujqësisë Serres.
Një prej kërkesave kulmore për ta është ulja e kostove të prodhimit, e cila në shumë raste nuk i lejon ata as të kultivojnë. Prandaj kërkojnë naftë pa taksa dhe një tavan të çmimit të energjisë elektrike rurale në 7 cent/Kwh.
Gjithashtu kërkojnë dëmshpërblim në masën 100%, për dëmtimet e prodhimit bimor, shtazor , të dyqaneve, makinerive, depove dhe prodhimit të depozituar për të gjithë ata që u prekën nga përmbytjet e stuhive të mëdha në Thessali.
Fermerët theksojnë se problemet e tyre nuk janë intensifikuar vetëm për shkak të krizës klimatike dhe energjetike, por edhe nga Politika e Përbashkët Bujqësore, e cila për ta , ashtu si edhe për bujqit në BE , duket si e shkëputur nga realiteti dhe nga mungesa e masave reale mbështetëse.
“Dëgjojmë BE-në duke folur për axhendën e saj të gjelbër. Por në të njëjtën kohë shohim në thelb importe pakufi nga vendet e treta, pa asnjë kontroll. Shohim për shembull patate nga Egjipti, duke mos ditur si dhe me çfarë mjetesh prodhohen, shohim domate nga Tunizia, hudhra e limona nga Turqia e kështu me radhë”, tha Diamantis Diamantopoulos-president i Shoqatës Bujqësore Serres.
Në këto kushte thonë ata ,nuk mund të kultivojnë, nuk mund të prodhojnë, nuk mund të ushqejnë kafshët e tyre, nuk mund të shesin prodhimet e tyre.
Kostoja e prodhimit çon me saktësi matematikore në kolapsin e plotë të bujqësisë dhe blegtorisë greke dhe shenjat që janë më se të dukshme prej vitesh, pushtetarët i kanë shpërfillur plotësisht- shprehen ata .