Përshkallëzohet lufta franko-britanike e fjalëve për migrantët
Udhëheqësit britanikë dhe francezë kanë filluar një ”luftë” fjalësh mbi kalimet e rrezikshme në La Mansh, pasi të paktën 27 migrantë vdiqën dje në mbrëmje duke rritur sërish tensionet për krizën e migrimit, sipas CNN.
Ministrat nga të dyja anët fajësuan homologët e tyre pasi dhjetëra njerëz, përfshirë një vajzë të re, u mbytën në ujërat e ftohtë të brigjeve franceze kur gomonia e tyre drejt Britanisë së Madhe u mbyt.
Është një nga humbjet më të mëdha të jetëve në La Mansh në vitet e fundit.
”Kurdët irakianë duket se janë mes viktimave”, tha sot presidenti i së ashtuquajturës qeveria rajonale kurde në Irak.
”Autoritetet po punojnë për të përcaktuar identitetin e tyre”, shtoi Massoud Barzani në Twitter.
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Boris Johnson shprehën të dy tmerrin për tragjedinë, me Macron që tha se ”vendi i tij nuk do ta lejonte La Manshin të shndërrohej në një varrezë”.
Udhëheqësit ranë dakord të shtojnë përpjekjet e përbashkëta për të parandaluar kalimet e migrantëve, por gjithashtu akuzuan njëri-tjetrin se nuk kanë bërë sa duhet.
Në një telefonatë të mërkurën në mbrëmje, Macron shkoi më tej dhe i kërkoi Johnson ”të ndalonte politizimin e krizës së migrantëve për përfitime të brendshme politike”.
Sot kjo ”luftë” verbale vazhdoi edhe mes politikanëve të rinj.
Anëtarja e Parlamentit, që përfaqëson Doverin, ku shumë migrantë mbërrijnë nga Franca, i tha CNN se vdekjet ishin “plotësisht të parashikueshme” dhe e quajti problemin ”një çështje të policisë kufitare, zgjidhja e së cilës qëndronte në Francë”.
“Kjo ishte një tragjedi plotësisht e parashikueshme, që herët a vonë, një nga këto varka do të përmbysej dhe njerëzit do të vdisnin”, tha Natalie Elphike për CNN.
“Njerëzit janë të sigurt në Francë dhe mënyra më e mirë për t’i mbajtur njerëzit të sigurt është t’i mbash ata në breg, jo në duart e kontrabandistëve të njerëzve në mes të La Manshit”, shtoi ajo.
Politikania britanike shtoi se francezët “nuk po i ndalojnë migrantët. Këtu duhet të ndryshojë politika, nga pala franceze”.
Ndërkohë ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin kërkoi më shumë mbështetje nga fqinjët evropianë, duke i thënë RTL-së se Franca nuk mund të jetë “e vetmja që mund të luftojë kundër kontrabandistëve”.
“Ne po ua themi këtë edhe… miqve tanë anglezë, se ata duhet të na ndihmojnë të luftojmë kundër kontrabandistëve që janë ndërkombëtarë, që luajnë me kufijtë”, tha Darmanin.
I pyetur pse Britania e Madhe tërheq kaq shumë emigrantë të paligjshëm, Darmanin vuri në dukje metodat e Britanisë së Madhe për menaxhimin e migracionit dhe tregun e saj të lulëzuar të punës.
“Është e qartë se ka keqmenaxhim të imigracionit në Britaninë e Madhe”, tha ai.
Ndërkohë, ministri i Emigracionit i Mbretërisë së Bashkuar, Kevin Foster, i tha BBC-së se qeveria e tij ”është gjithashtu e vendosur të shkatërrojë modelin vërtet të keq të biznesit të kontrabandës me njerëz”.








