Gazetare: Fatlume Dervishi
Në prag të çdo fushate ose cikli zgjedhor, personat me aftësi të kufizuara përballen me sfida që pengojnë përfshirjen e tyre aktive në politikbërje. Kryetarja e Shoqatës për promovimin dhe zhvillimin e shoqërisë inkluzive, “Inkluziva”, Bllagica Dimitrovska, thotë se personat me aftësi të kufizuara duhet fillimisht të informohen mirë për të drejtën e tyre për pjesëmarrje politike por dhe se duhet të krijohen kushte që ata të jenë politikisht aktivë. Dimitrovska thotë se ka përmirësime të vogla mirëpo të pamjaftueshme.
“Ne kemi konstatuar se për zgjedhjet e kaluara lokale në lista për herë të parë kishte tetë persona me aftësi të kufizuara prej të cilëve vetëm një person me pengesa u bë kryetare e këshillit në Strugë. Ky ishte suksesi i parë i arritur në këtë temë edhe pse që nga viti 2016 punojmë me personat me pengesa dhe i motivojmë të marrin pjesë në këto procese. Punojmë edhe me partitë politike që të dinë se si t’i qasen problemit dhe se duhet të krijojnë kushte brenda partive, të ketë qasje fizike, të kenë qasje deri te materialet e tyre, po edhe në procesin e vendimmarrjes brenda partive politike të kyçen personat me pengesa”, tha Bllagica Dimitrovska, Kryetare e Shoqatës për promovimin dhe zhvillimin e shoqërisë inkluzive, “Inkluziva”.
Rrallë ndonjë parti politike ka hapësira të qasshme për personat me pengesa fizike kurse po ky problem merr përmasa serioze në ditën e votimit. Personat me aftësi të kufizuara shpesh nuk kanë qasje të lehtë deri te kutitë e votimit.
“Kemi konstatuar se 78% e vendvotimeve janë jo të qasshme fizikisht. Në disa objekte ka rampa por një pjesë e tyre nuk janë bërë sipas standardeve që të mundet një person me karrocë të ngjitet vetë, por edhe në hapësirat e brendshme ka shkallë. Zakonisht votohet nëpër shkolla në kate kurse klasat poshtë qëndrojnë të mbyllura”, shtoi Bllagica Dimitrovska, Kryetare e Shoqatës për promovimin dhe zhvillimin e shoqërisë inkluzive, “Inkluziva”.
Me marrëveshje me shoqatat e personave me aftësi të kufizuara, KSHZ-ja ka siguruar 170 rampa qasëse dhe 4 transportues elektromotorik por ata nuk mbulojnë as për nga afër nevojat e 3400 qendrave të votimit. Duke qenë se qendrat e votimit shpesh janë nëpër shkolla, Dimitrovska thotë se do të përmirësohet edhe qasja e fëmijëve me aftësi të kufizuara, në procesin arsimor.
“Vlerësojmë se duhet të gjendet mënyrë që të përmirësohet qasja te vendvotimet, me këtë do të përmirësohet qasja për arsimimin e këtyre personave dhe si persona të arsimuar do të kenë më shumë mundësi të kyçen në procesin politik”, shtoi ajo.
Shoqatat kërkojnë që partitë politike të kyçin persona me aftësi të kufizuara në radhët e tyre kurse institucionet të mundësojnë ushtrimin pa pengesa të të drejtës së votës si dhe mundësi që personat me aftësi të kufizuara të informohen para se të japin votën e tyre dhe të mund të paraqesin parregullsi të mundshme gjatë procesit./Alsat.mk








