Përurohet “Sheikha Fatima”, Spitali i Fëmijëve në Kosovë

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është mbajtur ceremonia shtetërore e pranim-dorëzimit të Spitalit të Fëmijëve “Sheikha Fatima”, donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), për shëndetësinë kosovare.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë krerë të lartë të institucioneve vendore, si dhe një delegacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se me vendosjen e gurthemelit të këtij spitali është vulosur edhe miqësia e Kosovës me Emiratet e Bashkuara, duke i falënderuar për njohjen ndaj Kosovës dhe donacionin.

Ajo tha se ky spital është ndër më modernët në rajon dhe më të sofistikuarit për fëmijë, me çka Kosova më në fund do të jetë në gjendje të ofrojë shërim intensiv, shërbime laboratorike e diagnostike, salla operative e shërbime të tjera me teknologjinë e fundit.

“Më në fund, adresa për shërim dhe trajtim të fëmijëve tanë nuk do të jenë vende të rajonit apo edhe vende më të largëta. Adresa për trajtimin dhe shërimin e fëmijëve tanë do të jetë shtëpia jonë. Por, ky nuk është vetëm një objekt e nuk e shohim vetëm si një spital tjetër, përkundrazi, ky është fryti i një dedikimi e përkushtimi human, e që përherë do të mbetet simboli më i veçantë i miqësisë sonë e cila uroj të fuqizohet dhe të lulëzojë gjithnjë e më shumë”, tha Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se fëmijët e Kosovës janë qytetarë të ardhshëm të demokracisë kosovare, prandaj kujdesi për ta është qenësor.

Ai tha se ky spital do të kontribuojë për fëmijët dhe familjet në Kosovë, ndërsa është dëshmi e miqësisë së dy popujve.

“Ky spital do të kontribuojë në mirëqenien e fëmijëve të Kosovës duke u mundësuar fillim të shëndetshëm të jetës. Ky projekt humanitar i mundësuar nga madhëria e saj Sheikha Fatima bin Mubarak, përveç përmirësimit të jetës së fëmijëve dhe familjeve të Kosovës, është dëshmi konkrete e miqësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, midis institucioneve dhe popujve të të dyja vendeve tona”, tha Kurti, i cili shprehu falënderime të përzemërta për EBA-në.

Kryetari i Departamentit të Shëndetësisë në EBA, Sheikh Abdullah bin Muhamed bin Butti al Hamed, tha se vendi i tij po i dorëzon sot Kosovës këtë spital i cili është iniciativë e Sheikha Fatimas, synim i së cilës ishte ndihma për gratë dhe fëmijët në Kosovë.

Ai tha se ky spital do të kontribuojë në sistemin e shëndetësisë në Kosovë, specifikisht për nënat dhe fëmijët e tyre.

“Këto iniciativa nga Sheikha Fatima kanë zgjeruar fusha dhe sektorë të ndryshëm me fokus tek nënat dhe fëmijët për t’i siguruar brezit të ardhshëm një jetë më të mirë përmes një qasje më të lehtë në kualitetin e shërbimeve shëndetësore”, tha al Hamed.

Spitali për kirurgji të fëmijëve i cili ka kapacitet prej 100 shtretërve ka nisur të ndërtohet në mars të vitit 2016, ndërsa kostoja e këtij projekti ishte rreth 22 milionë euro.

LEXO EDHE:

Back to top button