Përvjetori i lindjes së diplomatit dhe shkrimtarit, Jusuf Vrioni

Përvjetori i lindjes së diplomatit dhe shkrimtarit, Jusuf Vrioni

107 vjet më parë në Korfuz të Greqisë është lindur diplomati, përkthyesi e shkrimtari, Jusuf Vrioni.

Vitet e tij të para ai i ka kaluar në Korfuz e më pas në Berat. Pas emërimit të babait të tij, Ilias Bej Vrioni, si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Paris, familja e tij është shpërngulur në Paris më 1925. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor Jusuf Vrioni e ka kryer pranë Liceut Janson de Sailly, Paris dhe atë të lartë në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe në Institut d’Études Politiques të Parisit.

Më 1939 është rikthyer në Shqipëri, por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e ka detyruar të shpërngulej po atë vit në Romë pranë të vëllait. Ai ishte rikthyer në Tiranë më 1943. Më 13 shtator 1947 është arrestuar nga regjimi diktatorial dhe akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Prej shkurtit 1949 e deri më prill 1950, Vrioni është burgosur në njërën prej shtatëmbëdhjetë qelive famëkeqe të Koçi Xoxes. Në korrik 1950, ai është dënuar me pesëmbëdhjetë vite heqje lirie dhe punë të detyruar, pjesë të dënimit e ka kaluar në burgun e Burrelit. Vrioni është liruar në fund të vitit 1958 dhe është internuar në Fier për një periudhë disamujore. Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, Jusuf Vrioni është emëruar në Tiranë si përkthyes.

Në fillim të viteve ’60, Vrioni është njohur dhe miqësuar me shkrimtarin Ismail Kadare. Duke çmuar pasurinë gjuhësore dhe vlerën e veprave të Kadaresë, Vrioni e ka vënë talentin e tij si përkthyes në shërbim të këtij shkrimtari. Kësodore gjatë orëve të lira i ka përkthyer veprat e tij thjesht për kënaqësi. Ndër përkthimet e tij të para numërohet “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë, i cili më vonë është botuar në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes ka filluar të figurojë nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980.

Vrioni është ngarkuar me përkthimin e veprave të Enver Hoxhës, duke ngjallur xhelozinë e anëtarëve të nomeklaturës komuniste. Kadare qëllimisht i ka qëndruar pranë dhe e ka ftuar në takime zyrtare, pa marrë parasysh të kaluarën e tij politike dhe mosaprovimin e nomeklaturës.

Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë posturës së tij multidimensionale si intelektual, është angazhuar në qarqet e shoqerisë civile dhe për një kohë ka shërbyer si Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza famëkeqe e vitit 1997 e ka detyruar atë të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Paris. Më 1998, Vrioni është emëruar Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 maj të atij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, është dekoruar nga Republika Franceze me urdhërin Chevalier de la Légion d’Honneur, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ishte dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhërin Grand Officier de la Légion d’Honneur nga Republika Franceze.

Jusuf Vrioni ka ndërruar jetë në Paris në maj 2001, ndërsa ka shërbyer si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO.

LEXO EDHE:

Back to top button