Pesë ditë furnizim me energji elektrike, Shqipërisë i kushtuan 7.5 milionë euro

Pas dështimit të së hënës në blerjen e të gjithë sasisë së nevojshme për të plotësuar nevojat e Shqipërisë për energji elektrike, edhe ankandi i dytë i së martës nuk ka arritur të blejë të gjithë volumin e kërkuar.

- Advertisements -

Nga 15.5 gigavat-orë të synuara, Furnizuesi i Tregut të Lirë bleu vetëm 4.1 gigavat-orë me një çmim mesatar prej 264.5 eurosh, një tjetër rekord për vendin.

Pavarësisht se në garë u ofruan 8 shoqëri, OSHEE u detyrua të skualifikojë disa nga ofertat për shkak të çmimeve që arrinin deri në 590 euro.

Në ankand u shpenzuan rreth 1.1 milionë euro, ndërsa në total për pesë ditë, energjia e blerë llogaritet në 7.5 milionë euro dhe është sërish e pamjaftueshme.

Tashmë pritet që kompania e energjisë të zhvillojë një tjetër ankand së shpejti, në të kundërt rrezikohet furnizimi i vendit.

Njoftimi i OSHEE:

Në vijim të ankandeve, të datës 11.10.2021, “Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A, pjesë e shoqërisë OSHEE Group, zhvilloi sot, më datë 12.10.2021, ankandin për sigurimin e profileve band dhe peak, për periudhën 14 – 17 Tetor në sasinë 15,584 MWh.

Ankandi u zhvillua në 3 faza (oraret 11:00-12:00-13:00), përmes platformës IT online. Në të morën pjesë 8 shoqëri.

Sasia e energjisë së kërkuar u sigurua pjesërisht, konkretisht u sigurua sasia prej 4,128 MWh, me çmim mesatar 264.50 Euro/ MWh.

Pra, në vijim të 3 ankandave të zhvilluara dje dhe sot u arrit të sigurohej në total sasia 29,048 MWh nga 44,400 MWh të kërkuara për periudhën 13 – 17 Tetor, me çmim mesatar 259.32 Euro/MWh. Pavarësisht mosplotësimit të sasive të kërkuara, “Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A. ishte e detyruar të skualifikonte disa nga ofertat për shkak të çmimeve shumë të larta, të cilat arrinin deri në 590 Euro/ MWh.

“Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A./ OSHEE Group garanton të gjithë klientët për furnizim të pandërprerë me energji elektrike.

LEXO EDHE:

Back to top button