Petrit Ajeti emërohet drejtor në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë emëruar Petrit Ajetin drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Sipas tyre, ky emërim është bërë në përputhje me kompetencat kushtetuese të presidentes dhe kryeministrit të Kosovës.

Petrit Ajeti ka lindur në Gjilan, më 11 tetor 1981. Shkollën fillore dhe të mesme gjimnazin matematiko-natyror i ka mbaruar në Gjilan. Në vitin 2001 ka vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Gjithashtu, ka kryer studimet në nivelin Baçelor në Shkencat Politike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ajeti ishte bursist i programit të bursave pasuniversitare të BE-së “Young Cell Scheme”, përmes të cilit mbaroi studimet e nivelit Master në fushën e Arteve në Përgjegjësinë Sociale të Korporatave në Universitetin Metropolitan të Londrës në Mbretërinë e Bashkuar.

Ajeti ka ndjekur disa programe ndërkombëtare në kuadër të zhvillimit profesional në fushën e Sigurisë. Në vitin 2016 ka ndjekur “Programin për Studimet e Aplikuara të Sigurisë”, në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” në Gjermani, pastaj programin certifikues për Menaxhim të Mbrojtjes si dhe për Marrëdhëniet Civile – Ushtarake dhe Buxhetim të Mbrojtjes në “Naval Postgraduate School” në SHBA, programin certifikues “Menaxhimi i Bashkëpunimit të Sigurisë” në Institutin e Mbrojtjes për Studime të Bashkëpunimit të Sigurisë në SHBA, si dhe programin PRINCE 2 për Menaxhim të Projekteve. Ai gjithashtu është i certifikuar në Menaxhim dhe Operim të Emergjencave nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së.

Paralelisht me edukimin Ajeti gjithashtu ka qenë aktiv në fushën e sigurisë. Mbi 15 vjet përvojë pune në institucionet publike dhe private në fushën e sigurisë. Nga viti 2013 ka punuar në kapacitete të ndryshme në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës si Zyrtar për koordinim të investimeve të huaja të mbrojtjes dhe ushtrues detyre i shefit të sektorit për integrim euro-atlantik si dhe së fundi Shef i Kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm. Çështjet kryesore ku ai është angazhuar përfshijnë Planifikimin, Programimin, Buxhetimin, dhe Ekzekutimi në fushën e mbrojtjes. Gjithashtu z. Ajeti ka qenë anëtar i grupit punues ndërinstitucionale për hartimin e Strategjisë së parë të Mbrojtjes. Nga viti 2007 deri në vitin 2010 z. Ajeti ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme në cilësinë e zyrtarit të lartë në Departamentin për Hartimin e Politikave të Sigurisë së Brendshme si dhe në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion. Ai gjithashtu ka përvojë ndërkombëtare në fushën e sigurisë si kontraktor civil për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bazat ushtarake në Afganistan dhe Kosovë.

Vetëm në gjashtë vjetët e fundit, në AKI janë ndërruar tre drejtorë. I vetmi që ka përfunduar një mandat të plotë ka qenë drejtori i parë, Bashkim Smakaj, i cili ishte emëruar në këtë post në shkurt të vitit 2009. Një vit pas riemërimit, më 2015 ai kishte dhënë dorëheqje, duke u zëvendësuar nga Agron Selimaj. Ky i fundit po ashtu kishte dhënë dorëheqje dy vjet më vonë, më 2017.

Në vend të tij, më 2017, u emërua Driton Gashi, të cilit iu kërkua të lironte detyrën vetëm një vit pas marrjes së detyrës, për shkak të skandalit me arrestimin dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Që atëherë, në pozitën e drejtorit të AKI-së ishte emëruar Kreshnik Gashi, të cilit po ashtu iu kërkua largimi nga ky post, në dhjetor të vitit të kaluar.

Në bazë të ligjit në fuqi, drejtori i AKI-së i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit.

Po sipas këtij ligji, drejtori i AKI-së shërben si këshilltar i presidentit dhe kryeministrit për çështje të inteligjencës që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës; njofton presidentin dhe kryeministrin për aktivitetet e AKI-së dhe ofron informata për presidentin dhe kryeministrin sa i takon sigurisë.

 

LEXO EDHE:

Back to top button