Pjesa e dytë e autostradës Shkup–Bllacë nis me financim prej 198.4 milionë eurosh

Ndërtimi i pjesës së dytë të autostradës Shkup-Bllacë pritet të fillojë në gusht dhe të zgjasë rreth katër vjet, njoftoi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski.

Sipas tij, projekti financohet me një grant prej 30.8 milionë eurosh dhe një kredi prej 167.6 milionë eurosh. Segmenti i ri do të jetë i gjatë 10.5 kilometra, ndërsa së bashku me 1.5 kilometrat e ndërtuar më parë, autostrada nga kryqëzimi i Stenkovecit deri në kufi do të arrijë 12 kilometra. Trajanovski tha se traseja kalon nëpër terren kodrinor dhe malor, kështu që projekti përfshin ndërtimin e pesë tuneleve, nëntë urave, 11 mbikalimeve, katër galerive dhe nëntë mureve mbajtëse. Ai shtoi se kontraktori (AD Granit) dhe konsulenti tashmë janë përzgjedhur, ndërsa përzgjedhja e mbikëqyrësit pritet të përfundojë së shpejti.

“Terreni është kodrinor dhe malor dhe është pjesë e masivit të Malit të Zi të Shkupit. Ky është një terren jashtëzakonisht i vështirë për ndërtim. Prandaj, projekti parashikon 5 tunele me dy tuba, me një gjatësi totale prej rreth 5 kilometrash, 9 ura me një gjatësi prej 2.5 kilometrash, 11 mbikalime, 4 galeri për stabilizimin e shpateve, secila me një gjatësi prej 1 kilometri, si dhe 9 mure mbajtëse, të cilat janë gjithashtu për stabilizimin e shpateve. Presim që ndërtimi të fillojë në gusht të këtij viti. Sipas kontratës, periudha e ndërtimit është afërsisht 4 vjet. Konsulenti është zgjedhur, kontraktori është zgjedhur, ndërsa mbikëqyrja është në fazën e vlerësimit dhe presim që të zgjidhet së shpejti”, tha Trajanovski.

LEXO EDHE:

Back to top button