Plani për pushtimin e plotë të Gazës shkakton protesta masive në Izrael
Plani për pushtimin e plotë të Gazës shkakton protesta masive në Izrael

Policia izraelite u detyrua të shpërndante me forcë qindra demonstrues jashtë parlamentit teksa protestat antiqeveritare shpërthyen menjëherë pas miratimit nga kabineti i kryeministrit Benjamin Netanjahu të një plani për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës. Protestuesit kërkuan një marrëveshje urgjente me Hamasin për lirimin e 59 pengjeve që ende mbahen në Gaza, nga të cilët besohet se vetëm 24 janë ende gjallë. Plani i ri i qeverisë izraelite parashikon që forcat e armatosura të qëndrojnë në territorin palestinez për një periudhë të pacaktuar, duke çuar në zhvendosjen e qindra mijëra civilëve palestinezë drejt jugut dhe duke përkeqësuar një krizë humanitare që tashmë është ekstreme. Që nga përfundimi i armëpushimit në mars, ushtria izraelite ka nisur një valë të re sulmesh që kanë vrarë qindra palestinezë dhe kanë sjellë nën kontrollin e saj rreth 50% të territorit të Gazës.
“Nuk ka arsye për të vazhduar me këtë luftë. Ajo që bëmë për një vit e gjysmë, zgjati një vit e gjysmë dhe nuk ia dolëm. Qeveria e Izraelit dëshiron vetëm të mbajë rripin e Gazës dhe të krijojë një vendbanim të ri atje. Ushtarët do të vriten dhe pengjet do të kthehen me thasë të zinj. Kjo është ajo që do të ndodhë”, tha një protestues.
“Jemi këtu për të protestuar kundër qeverisë dhe po bëjmë thirrje për të ndalur luftën, e cila besoj se nuk është më luftë, është gjenocid. Jemi këtu për të bërë thirrje për të rikthyer pengjet. E dimë që Netanjahu nuk i do pengjet sepse dëshiron ta mbajë fronin e tij përgjithmonë”, u shpreh një tjetër protestues. Alsat.mk