Plani vaksinimit gati – mungojnë vaksinat!

Pasi ekzekutivi i dha dritë jeshile planit për imunizim të popullsisë kundër virusit korona, autoritetet kompetente vihen në lëvizje për zbatimin e tij. Por, përderisa “dasma” është gati, mungon “nusja”. Vaksinat anti kovid ende nuk kanë arritur në vend, edhe pse sfida për sigurimin e tyre zhvillohen në disa fronte. Nga Qeveria njoftojnë se vaksinimi do të zbatohet në tri faza, të cilat përfshijnë tri grupe me prioritet të qytetarëve, stafi mjekësor, të sëmurët kronik dhe personat që kryejnë shërbime në infrastrukturën kritike të shtetit, ku përfshihen policia, ushtria dhe kategori të tjera.

 “Qeveria e RMV-së, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë kanë ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar vaksina për imunizim të popullsisë. Në bazë të planit që e miratuam në seancën e djeshme, vaksinimi do të bëhet në tre faza, ndërsa vaksinat e para që presim të arrijnë nga kompania Pfizer që është në fillim të muajit shkurt”, tha Muhamet Hoxha, zëdhënësi i Qeverisë.

Vaksina Kineze SinoVac nuk do ketë nevojë për kushte të posaçme të ruajtjes në temperatura të ulëta ekstreme. Për dallim nga vaksinat Pfizer dhe Moderna, të cilat bazohen në injektimin e një pjese të kodit gjenetik të korona virusit në trupin e njeriut, vaksinat kineze bëhen në mënyrën tradicionale bazuar në një virus të dobësuar. Sipas autoriteteve ajo mund të ruhet në frigoriferë të thjeshtë nga 0 deri -20°C. Nga Ministria e Shëndetësisë presin përgjigje edhe për vaksinat kineze.

 “Deri në fund të javës presim përgjigje nga prodhuesi kinez i vaksinave për sasinë, të cilën mund ta presim nga atje. Bëhet fjalë për 200 mijë doza nga vaksinat ‘CoronaVac’ kundër CoVid-19, të cilat do ti marrim me një kontingjent të vetëm. Ndërkohë presim edhe konfirmimin përfundimtar për datën e furnizimit të vaksinave përmes mekanizmit ‘Covax’ si dhe të vaksinave që do ti blejmë nga Serbia”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë

Por, kompania Pfizer ende nuk ka kthyer përgjigje tek autoritetet serbe për ti hapur rrugë certifikimit të 8 mijë vaksinave për tu nisur drejt Shkupit. Sikurse ato përmes fqinjit verior edhe për blerje direkt e 5850 vaksinave nga Pfizer do të bëhet furnizimi me import emergjent edhe pa ndryshime ligjore.

Për 833 mijë vaksinat që ne i presim përmes sistemit Covax, Qeveria në fillim të dhjetorit ndau afër 7,96 milion euro. Furnizimi përmes platformës Covax do të kushtojnë 10 dollarë për njësi, kosto për të cilën shteti ynë pagoi avans prej mbi 1.1 milion euro. Transporti për to nuk është i përfshirë.

 

Përgatiti: Adnan Qaili

 

LEXO EDHE:

Back to top button