Pllakë përkujtimore për ngjarjet e nëntorit të vitit 1992 në Bit Pazar

Pllakë përkujtimore për ngjarjet e nëntorit të vitit 1992 në Bit Pazar

Gazetare: Melihate Rustemi

Një pllakë përkujtimore e shpalosur në një skaj të urës së Bit Pazarit do të mbajë të gjalla kujtimet për tragjedinë mbi këtë urë të ndodhur më 6 dhe 7 Nëntor të vitit 1992 ku mbetën të vrarë 4 persona. Drejtuesit e komunës së Çairit thanë se kjo simbolikë është gjëja më modeste për të nderuar viktimat.

“Sot nuk jemi këtu vetëm për të kujtuar tragjedinë. Jemi këtu për të rivendosur dinjitetin e atyre që nuk janë më, për të nderuar qëndresën e atyre që mbijetuan dhe për të afirmuar angazhimin tonë institucional që ngjarje të tillë të mos përsëriten kurrë më”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës Çair.

Raif Dardhishta dhe Vikorija Geshoska janë familjarë të viktimave dhe të dëmtuar në këtë tragjedi. Për Alsat thanë se ndihen të nderuar që kujtimi për viktimat e kësaj tragjedie është ende gjallë.

“Konkretisht unë kam qenë me Safet Sjefullahun, 1 metër afër. Rufadij Bytyqin edhe të tjerë shumë ka pas. Ne me kemi qenë në radhën e parë pa vepru ne asgjë kanë nis krismat e plumbave edhe unë jam plagos prej në njërën këmbë në tjetrën. Rufadija u afrua t’i ndihmjë Safetit dhe ra mbi të. Safeti mbet aty, s’kemi pas mundësi t’i ndihmojmë njëri-tjetrit”, u shpreh Raif Dardhishta, i plagosur.

“Për mua dhe familjen time paraqet nder të madh. Atë kohë vdiq gjyshja ime, ajo ishte në ketë ngjarje tragjike megjithatë ne e gjithë familja ishim në shtëpi dhe fatkeqësisht ishim dëshmitarë të asaj ngjarje të rëndë. Unë isha prezent, edhe pse kisha 11 ose12 vjet, nuk isha e vogël, mbaj mend çfarë ndodhi. Kishte shumë njerëz, më shumë e mbaj mend gazin lotsjellës sepse ngado që lëviznim kishte gaz lotsjellës. Atmosferë e tensionuar, mos të përsëritet”, deklaroi Vikotorija Geshoska Stanoeviç, familjare.

Në Teatrin e Shkupit u ekspozuan edhe disa fotografi të ngjarjeve në Bit Pazar të realizuara nga fotografi amator Refki Berisha.

“Tash kur i shih këto foto e di që mbajnë kujtime të rënda, kujtime prekëse sepse e di çka kam përjetuar në ato momente. Këtu janë një pjesë e disa fotografive. Janë mbi 300 fotografi dhe janë mbi 6 orë incizim me kamerë”, tha Refki Berisha, autor i fotografive.

Më 6 dhe 7 nëntor të vitit 1992, në hapësirat afër tregut të Bit Pazarit në Shkup, u vranë Safet Sejfullahu, Sulejman Memishim Shemsedin Ibrahimi, Viktorija Geshoska ndërkohë ishin plagosur dhjetëra qytetarë të pafajshëm. U bastisën shumë shtëpi, ndërsa u arrestuan qindra shqiptarë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button