Po i vjen fundi perandorisë kredi-kumar-zhvatje, thotë Izet Mexhiti pas mbylljes së “Credi Yes”

Gazetar: Suad Bajrami

Pasi Ministria e Financave njoftoi se ia ka marrë licencën shoqërisë financiare për kredi të shpejta “Yes Credit”, bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti thotë se ka filluar rrënimi i perandorisë kredi-kumar-zhvatje, pavarësisht rezistencës së disa grupeve të fuqishme të interesit nga nëntoka dhe krimi i organizuar.

“Ta kenë të qartë, kjo luftë nuk ndalet! Dhe nga ky premtim nuk tërhiqemi asnjë hap! Vendimi për heqjen e licencës së “Credi Yes” dhe mbylljen e 40 filialeve të saj është sinjal i qartë se koha e paprekshmërisë po merr fund. Është dëshmi se institucionet më në fund po veprojnë kundër një sistemi që për vite të tëra ka rënduar jetën e qytetarëve dhe ka goditur mijëra familje”, shkruan Mexhiti.

Nga Ministria e Financave informuan se shoqërisë financiare “Credi Yes” i është marrë licenca pas inspektimit të jashtëzakonshëm ndaj një paraqitje të një qytetari.

“Mbikëqyrja ka konstatuar shkelje të rëndë të dispozitave ligjore, veprim në kundërshtim me rregullat për mbrojtjen e shfrytëzuesve dhe praktikave me të cilat drejtpërdrejtë janë sjellë në rrezik qytetarët – shfrytëzues të shërbimeve financiare”, thonë nga Ministria e Financave.

Ndërkohë nga Ministria paralajmërojnë intensifikim të kontrolleve në periudhën në vazhdim. Në bazë të mbikëqyrjeve gjatë vitit 2026 janë konstatuar shumë parregullsi, për çka janë shqiptuar 22 gjoba për 16 shoqëri financiare, por edhe 23 urdhra me shkrim për largim të parregullsive. Nga Ministria paralajmërojnë ndryshime ligjore me të cilat do të ashpërsohen kriteret për punën e shoqërive financiare për kredi të shpejta me qëllim që të zvogëlohet rrezikut për zhytje enorme të qytetarëve në borxhe.

Çështja e kredive të shpejta ndër vite është temë që krahas shqetësimit qytetar, ka pasur akuza se ky sektor shfrytëzohet për qëllime kriminale. Izet Mexhiti në tetor të vitit 2023 akuzonte se BDI-ja është e përfshirë në këtë biznes, duke drejtuar gishtin kah ministri i atëhershëm i Financave, Fatmir Besimi. Ai theksonte se ka indikacione se është përfshirë kapitali rus drejtpërdrejtë nga Milan Radojçiqi i Listës Serbe, i kërkuar për sulmin terrorist në Banjskë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button